Politike

Meta kthen krijimin e Bursës: S’ka parakushte për zhvillimin e tregut të kapitalit

“Cilësia e dobët e ligjeve nga këta deputetë, shumë shqetësuese”

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka vendosur të kthejë në Kuvend ligjin për krijimin e Bursës shqiptare (Për tregjet e kapitalit).

Në një shpjegim prej 18 faqesh Presidenti Meta sqaron arsyet e kthimit të ligjit, ku arsyeja kryesore qëndron se, aktualisht nuk janë përmbushur parakushtet për një zhvillim të suksesshëm të tregjeve të kapitalit.

Nga pikëpamja financiare, argumenton Presidenti, parakushtet për një zhvillim të suksesshëm të tregut të kapitalit privat, janë: Politika e shëndoshë makroekonomike: Politika monetare racionale dhe politika të qarta të administrimit të borxhit për të siguruar lëvizjet e parashikueshme të normës së interesit;

Një kornizë e përshtatshme ligjore për të mbrojtur investitorët, thotë ai, një strukturë solide rregullatore dhe mbikëqyrëse për letrat me vlerë, miratimi i standardeve më të larta për cilësinë e informacionit dhe zbulimin publik, kontabiliteti i besueshëm, proceset e auditimit dhe qeverisja e shëndoshë e korporatave, si elementë të nevojshëm për të ndërtuar besimin;

Po ashtu arsyeton Kreu I shtetit, duhet të ekzistojnë ekonomi të shkallës që nevojiten për të zhvilluar një treg privat të kapitalit që ka nevojë për likuiditet dhe kërkon një vëllim të konsiderueshëm të investitorëve;

Investitorët vendas luajnë një rol kryesor për zhvillimin, dhe ekzistenca e fondeve të mëdha pensionale dhe fondeve të investimeve shoqërohet me tregjet e suksesshme të kapitalit privat.

Presidenti, duke sjellë në vëmendje përvojën e vendeve anëtare të BE-së, tregon se reformat institucionale dhe ato të tregut ishin faktorët kryesorë që nxitën zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vitet 2000. Reformat kryesore përfshijnë privatizimet që kërkonin listim të detyrueshëm të kompanive, reformat e fondeve të pensioneve dhe hyrjet e kapitalit të nxitur nga anëtarësimet në BE, pasi vendet harmonizuan shpejt kornizat ligjore dhe rregullatore. Por, thotë Z. Meta, zbatimi në praktikë ishte i dobët për shkak të: Mungesës së qeverisjes së fortë të korporatave, që minoi zhvillimin financiar duke kërkuar standarde më relaksuese të listimit të korporatave;Likuiditeti i kufizuar ka qenë një pengesë e rëndësishme për investitorët dhe zhvillimin e tregut; Standarde të papërshtatshme të raportimit, mungesë e vlerësimeve të rating-ut të besueshëm të korporatave dhe strukturave të pronësisë.

“Mjafton vetëm të risjellim në vëmendjen tuaj faktin se, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e tij të Nëntorit 2017, tërheq vëmendjen se zhvillimi i tregut të kapitalit duhet të udhëhiqet nga standardet e BE-së, por gjithashtu thekson se zhvillimi i tij do të marrë kohë dhe është një proces i ndërlikuar. Zhvillimi i tregjeve të kapitalit do të kërkojë zbatimin e standardeve më të larta në lidhje me transparencën, qeverisjen e korporatave dhe mbikëqyrjen. Gjithashtu, duhet të adresojë reformat si zvogëlimi i informalitetit dhe nxitjen e kursimeve kombëtare.”- citon ai.

Meta thekson se miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit në këto momente dhe me këto parashikime që paraqesin problematika si më sipër, bëjnë që nga njëra anë vendi të përballet me riskun që bursa të jetë spekulative dhe jo funksionale, ndërsa nga ana tjetër, dhe aksesi i operatorëve në këtë treg të jetë i cenueshëm, duke mos ofruar garancitë e nevojshme ligjore.

Gjithashtu ai shprehet se për shkak të problematikave lidhur me harmonizimin e këtij ligji me aktet e tjera ligjore në fuqi, ky ligj duhet të kalojë për mendim edhe pranë Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Në përfundim, deklaron ai, “si President i Republikës, jam shumë i shqetësuar nga mungesa e vëmendjes së deputetëve në shqyrtimin e projektligjeve. Duket qartë se debati parlamentar në drejtim të përmirësimit të propozimeve ligjore ka rënë ndjeshëm. Në mënyrë të përsëritur kam evidentuar një cilësi të dobët të procesit ligjbërës prej deputetëve, sidomos referuar harmonizimit të projektligjeve që shqyrtohen dhe miratohen me normat ekzistuese në fuqi në Republikën e Shqipërisë, e veçanërisht me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë