Interviste

Meta kërkon mbështetjen e SHBA: Rusia po ndërhyn në punët tona!

Shqipëria duket se ka qenë e para që i është kundërpërgjigjur akuzave të presidentit rus Vladimir Putin për ndërhyrjen e SHBA-së në Ballkan, duke i kërkuar Moskës të respektonte vullnetin e vendeve të Ballkanit për bashkimin me sferën Perëndimore.

I ftuar në Senatin Amerikan së bashku me Ministrin e Diasporës, Pandeli Majko, ish-ministrin Damian Gjiknuri dhe Fatmir Mediun, Presidenti Ilir Meta u shpreh se një nga sfidat e rajonit ëshë përballja me ndërhyrjen nga Rusia. Meta u bëri thirrje SHBA-ve të vazhdojnë të përfshihen në rajon, duke paralajmëruar se mungesa e tyre do të çonte drejt rritjes së pranisë së Rusisë dhe aktorëve të tretë në rajon.

Duke u kujtuar senatorëve se para pak javësh Shqipëria kishte dëbuar Ambasadorin Iranian, presidenti u shpreh se: “Është koha për të ngritur flamurin sinjalizues e një rreziku potencial që mund të krijojë e të lerë një vakum në rajon, i cili mund të mbushet nga ekstremizmi fetar me ndihmën e disa fuqive të huaja. Vetëm pak javë më parë, Shqipëria dëboi ambasadorin iranian në Tiranë, së bashku me njërin prej diplomatëve të tyre, të cilët po rrezikonin sigurinë tonë kombëtare”.

Kreu i shtetit shqiptar kujtoi deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin pak para vizitës në Serbi dhe i beri thirrje të respektonte dëshirën e vendeve të Ballkanit për anëtarësimin në institucionet perëndimore.

Presidenti Ilir Meta ne Senatin Amerikan

“Destabilizimi i rajonit është në interes të Rusisë”, tha Meta. “Gjatë vizitës së tij në Beograd, Presidenti Putin akuzoi SHBA-në dhe BE-në se po përpiqen të destabilizojnë seriozisht rajonin. Në të vërtetë, ne dëshirojmë që Rusia të respektojë aspiratën euroatlantike të vendeve në rajon.

I ulur krah Gjiknurit dhe Majkos, Meta deklaroi se Shqipëria po vazhdon të konsolidojë demokracinë, shtetin ligjor dhe luftën kundër krimit të organizuar, por shtoi se këto përpjekje bien ndesh me qëllimet e ndikimit të huaj që duan të kontrollojnë Ballkanin.  Megjithatë, prania e Gjiknurit në senatin amerikan vjen pasi ish-ministri është akuzuar ashpër nga opozita si njeriu që fshihet prapa aferës korruptive të “DH Albania”, kompanisë fantazmë me bazë në SHBA që fitoi tenderin e ndërtimit të Unazës së Madhe.

Edhe pse ai nuk e mori fjalën, Meta deklaroi se Shqipëria ishte kthyer në katalizatorin e paqes në rajon. “Jam krenar që qëndroj para jush sot duke e ditur se Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të jetë një katalizator jetik për të zgjeruar kufijtë e NATO-s dhe të BE-së, pasi ato mbeten bazat e stabilitetit dhe të begatisë në Ballkanin Perëndimor, tha ai. 

Megjithatë, përplasjet mes presidentit dhe kryeministrit Rama u reflektuan edhe në senatin amerikan, pasi Meta deklaroi se ishte kundër “prekjes” së kufijve të Kosovës, edhe pse në qëndrimin e saj zyrtar, qeveria shqiptare është shfaqur e hapur ndaj të gjitha llojeve të negociatave.  

Presidenti Ilir Meta dhe Presidneti Donald Trump

“Ndryshimi i vetëm kufitar për të cilin duhet të punojmë natë e ditë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor”, theksoi presidenti. “Rezultatet e kësaj marrëveshjeje përfundimtare do të thonë se Kosova do të jetë njohur nga Serbia si një shtet i pavarur dhe anëtar me të drejta të plota i Kombeve të Bashkuara. Ne jemi të bindur se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të prodhojë paqe, stabilitet, siguri afatgjatë në rajon duke pasur SHBA-në dhe BE-në si garantues.

Qendrimi i Metës në Uashington vjen pak pas darkës së Ramës me Presidentin Thaçi dhe kryeministrin Haradinaj, si dhe vetëm pak ditë pas telefonatës së kryeministrit me këshilltarin e presidentit amerikan, John Bolton. Ai dhe kryeministri Haradinaj duket se janë pozicionuar tanimë në të njëjtin krah, duke kundërshtuar ndryshimin e kufijve të Kosovës, si pjesë e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Deklarata e tij në senatin amerikan vjen në një kohë që Uashingtoni po kërkon me ngulm arritjen e një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës, duke mos përjashtuar edhe shkëmbimin e territoreve.

Bashkë me Metën, Gjiknurin, Mediun dhe Majkon, në SHBA ndodhen edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe presidenti Thaçi. Pak  pas fjalimit të Metës, ky i fundit lajmëroi nëpërmjet një postimi në Facebook se do të merrte pjesë në një  nga forumet më prestigjioze në ShBA, në “Council on Foreign Relations”, për të folur për arritjen e një marrëveshjeje paqësore gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.

Duke iu referuar përplasjeve Merkel-Trump përsa i përket ndryshimit të kufijve të Kosovës, Meta nga ana tjetër theksoi po ashtu se mungesa e koordinimit të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian si dhe përfshirjes së tyre në Ballkan mund të jete negative për rajonin, duke u shprehur se qëndrueshmëria në rajon ka ardhur si rezultat i partneritetit të fortë transatlantik.

Presidenti Ilir Meta ne Senatin Amerikan

“Rajoni ynë është ende në një fazë vendimtare. Anëtarësimi sfidues i Malit të Zi në NATO dëshmoi nevojën për një rajon plotësisht të integruar në Aleancë. Po aq i rëndësishme është edhe anëtarësimi i Maqedonisë Veriore, pas arritjes së marrëveshjes historike me Greqinë si dhe vendeve të tjera në rajon”, shtoi presidenti. “Jemi realistë për faktin se e kuptojmë që fuqitë rivale dhe aktorët që sfidojnë Aleancën Euro-Atlantike janë të fortë, por ne duhet të jemi këmbëngulës në përballimin e këtyre kërcënimeve, nëpërmjet një partneriteti strategjik kolektiv në mënyrë të tillë që gjithmonë të mbrojmë rajonin tonë dhe interesat e Aleancës.”

Presidenti Meta foli gjithashtu lidhur me situatën në Maqedoninë e Veriut dhe konsideroi miratimin nga dy parlamentet të ndryshimit të emrit si një arritje historike që do ta bëjë rajonin më të sigurtë dhe do ta sjellë më pranë BE-së dhe NATO-s, duke theksuar se ky është një proces i rëndësishëm dhe jetik për të ardhmen e tij.

“Procesi i paqes dhe dizenjoja e sigurisë u mbështetën nga udhërrëfyesi i NATO-s, për ta ankoruar plotësisht këtë rajon në axhendën e përbashkët të sigurisë së Aleancës”, përfundoi presidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë