Politike

Meta jep “Ok” me rezerva për urgjencën e Eurobondit

Presidenti Ilir Meta ka dhënë pëlqimin e tij për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit për Eurobondin, duke miratuar kërkesën e socialistëve, megjithëse këtë pëlqim e shoqëron me rezerva.

Projektligji që nxjerr Shqipërinë në tregjet ndërkombëtare me synimin për të siguruar nga 500 deri në 700 milionë euro borxh nuk është miratuar ende në Kuvend, por dhënia e pëlqimit bëhet e vlefshme menjëherë pas miratimit të tij.

Presidenca thotë se Meta e ka dhënë pëlqimin vetëm për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij ligji, me qëllim mos pengimin e mundësive për përdorimin e instrumentit të Eurobondit sipas kushteve më të favorshme.

Presidenti kërkon që gjatë shqyrtimit të projektligjit të paraqitet një raport para deputetëve dhe seancës plenare që në mënyrë shteruese të trajtojë disa çështje.

“Arsyet përse vijohet të ndiqet praktika e administrimit të financave të vendit me vendimmarrje të kësaj natyre, urgjente; Sqarimet përkatëse ndaj rritjes së huamarrjes së huaj, që duhet të trajtohet me kujdes ndaj rrezikut të kursit të këmbimit (shqetësim ky që është ngritur edhe nga FMN në raportin e tij të fundit); Të raportohet lidhur me performancën e borxhit publik; Të raportohet në terma krahasimorë skenari në rastin e një huamarrje në tregun e brendshëm, në raport me përdorimin e instrumentit të eurobondit; Analizë të plotë të kostos dhe përfitimit të marrjes hua në tregun e brendshëm (në lekë/në euro), apo në tregun e huaj, ose një kombinim i tyre; Një listim të saktë të projekteve që synohet të mbulohen me këtë shumë për të cilën po tentohet të dilet në Eurobond”, thotë Presidenti.

Çështje të tjera që kërkojnë përgjigje nga Presidenca lidhen me qëllimin e huamarrjes dhe përdorimin e këtij fondi.

“Të sqarohet nëse huamarrja përmes këtij eurobondi, synon të shlyejë dhe huamarrjet e eurobondeve të mëparshme; Vendosjen në dispozicion të të gjithë deputetëve të Kuvendit, të gjithë praktikës dokumentare të kësaj iniciative; Të mbahen në vëmendje rekomandimet e Bankës së Shqipërisë, e cila gjykon se emetimi i këtij Eurobondi nuk cenon politikën monetare në afatin e shkurtër, megjithatë duhet patur kujdes në periudhën afatmesme dhe afatgjatë”, thotë Meta.

Në fund, Presidenti Meta përsërit thirrjen ndaj Qeverisë dhe Kuvendit, që në nisma të tilla ligjvënëse, të veprojnë në kohën e duhur, në mënyrë që t`u lihet hapësira e nevojshme të gjitha strukturave apo institucioneve për shqyrtimin dhe vlerësimin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë