Politike

Meta, Ramës: Shqiptarët janë ndarë nga sistemet përjashtuese

Presidenti Ilir Meta nuk e përmendi asnjëherë në emër Kryeministrin Edi Rama, por mesazhi i përcjellë paraditen e së premtes, para se të merrte pjesë në Konferencën e 3-të Kombëtare të Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë, qartësisht i drejtohej kreut të Qeverisë.

Vendosmërisë së Kryeministrit Edi Rama për të zhvilluar zgjedhjet vendore më 30 qershor, edhe pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, Presidenti Meta iu përgjigj para gazetarëve me rikthimin disa dekada pas në kohë.

“Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre, sepse Shqipëria nuk ka pse të shkojë në përplasje për interesa egoiste dhe okulte. Shqiptarët janë ndarë me sistemet përjashtuese që në vitet ‘90”, tha ai.

Sa i takon deklaratës së Kryeministrit se nga Presidenti i Republikës nuk ka marrë asnjë ftesë për tryezë në përpjekje për të zgjidhur krizën politike, Meta e cilësoi përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë.

Presidenti paralajmëroi se vendi është në një kurs përplasjeje civile.

“Askush nuk mund t’i transferojë përgjegjësitë tek të tjerët, aq më tepër tek Presidenti i Republikës. Ata e dinë vetë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të përgjegjshëm në rast se do ta çojnë vendin drejt konfrontimit”, vijoi ai.

Ndërkohë, në konferencën e organizuar nga eksportuesit e bimëve mjekësore dhe aromatike, Meta përsëriti tërthorazi thirrjen se përplasja politike po dëmton interesat ekonomike të vendit, në veçanti turizmin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë