Politike

Meta i numëron “gabimet” Bashës dhe sinjalizon padi në Strasburg për zgjedhjet e 2019-s

Presidenti Ilir Meta iu përgjigj për herë të parë Lulzim Bashës, që gjatë një fjalimi në Kuvend e rreshtoi atë në kampin e kundërshtarëve, duke e quajtur pjesë të “Trekëndëshit të Bermudës” dhe të së keqes, bashkë me Berishën edhe Kryeministrin Rama.

Meta thotë se problemi i Bashës janë katër bojkotet, ai i reformës territoriale, reformës në drejtësi, zgjedhjeve vendore dhe djegia e mandateve.

“Së pari, bojkoti i reformës administrative-territoriale përpara zgjedhjeve vendore të 2015. Opozita ka pasur të gjitha ofertat për të dhënë një plan të sajin dhe jo vetëm kaq, por demokratët të cilëve sot u serviret Ilir Meta si pjesë e këtij trekëndëshi. Së dyti, që në momentin që është hedhur ideja e djegies së mandateve kam thënë që kjo është një çmenduri, si do digjni mandatet. Për çështjen e pushtetit lokal e njëjta gjë dhe po kështu bojkoti i reformës në drejtësi ishte me pasoja katastrofike në kapjen e shtetit. Sa herë i ka thënë Ilir Meta atij (Lulzim Bashës) por dhe LSI-së, bëni një platformë për Reformën në Drejtësi bazuar me votat e ndryshimit të Kushtetutës me 140 vota?”, deklaroi Meta gjatë një interviste për Ora News.

Meta nënkupton se djegia e mandateve mund të jetë pjesë e një skenari mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

“Sot mund t’ju them se edhe një nga qëllimet e atyre, që nxitën djegien e mandateve, që nxitën lojërat për zgjedhjet vendore dhe gjithë ato kriza që u krijuan në Shqipëri, tani po kuptohet qartë si u krijuan, kush i krijoi, dhe që janë më të hershme se sa mendoni ju dhe ne: Ata kishin plan edhe shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, por nuk ishte ky problemi. Kishin në plan që edhe Gjykata Kushtetuese të kapej që para tri vitesh me shpejtësi. I mbani mend ato që betoheshin te noterja tek Lana apo i harruat?”, tha ai.

Ndërkohë, sa i takon betejës ligjore për vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, Presidenti thotë se ajo nuk mbyllet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe paralajmëron ankimim në Strasburg.

“Ne do t’i presim me shumë vëmendje vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Do t’i studiojmë dhe do të bëjmë veprimet më të mira në interes të respektimit të Kushtetutës edhe të të drejtave të njeriut, sepse sigurisht që ka Gjykatë Kushtetuese, por padyshim që nuk ka vetëm Gjykatë Kushtetuese. Ka edhe Gjykatë Evropiane që mbron të drejtat e njeriut dhe Shqipëria tani është pjesë e një sistemi të tillë”, tha Presidenti Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë