Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga posti i presidentit, pasi ndaj tij është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale. Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama ishin në një zë kur përcollën solidaritetin e Shqipërisë në mbështetje të tij.
“Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacenueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”, shkruan Rama në Twitter.
Edhe Presidenti Ilir Meta komentoi në Facebook.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike.
Vlerësoj aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e Tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën. Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar”, shkruan ai.
Edhe Lulzim Basha reagoi në lidhje me dorëheqjen e Thaçit dhe zhvillimet e tjera në Kosovë. Ai thotë se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë përballë krimeve kundër njerëzimit dhe spastrimit etnik kriminal të Millosheviçit.
Ai ndan bindjen në pafajësinë e të akuzuarve.
“Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza. Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës”, shkruan Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




