Politike

Meta dekreton ndryshimet që ngrenë KED: Zysh Europa nuk do fëmijë të llastuar!

Presidenti Ilir Meta e nisi ditën me një postim të mbushur me paralelizmat dhe krahasimet në rrjetet sociale. Klasën politike shqiptare e krahasoi me një fëmijë, që përpara ka një provim të vështirë tek zysha, që në këtë rast është Bashkimit Europian.

“U ndodh shpesh fëmijëve kur kanë përpara provimin e një lënde që nuk i tërheq fare. Nuk e zënë me dorë librin për një kohë të gjatë dhe vazhdojnë e luajnë duke gënjyer veten se kanë ende kohë para provimit. Por vjen një moment, kur koha nuk punon më për ty dhe kalon në kundërkohë. Atëherë fillon e mendon si të justifikosh dështimin tënd në provimin që ti s'mësove kur duhej. Kuptohet, zakonisht prindërve u thuhet se fajin e kishte Zysha, se ishte e keqe dhe e padrejtë”, shkruan Presidenti.

Ky koment i tij mbërrin një ditë pasi Edi Rama nuk përjashtoi asnjë vendim në tetor për çështjen e hapjes së negociatave, as një vendim negativ. Por, në këtë rast, përveç detyrave të brendshme të Shqipërisë, Kryeministri përmendi përmendi edhe gjendjen në të cilën ndodhet edhe vetë Bashkimit Europian dhe përplasjeve të brendshme të tij sa i takon procesit të zgjerimit.

Meta kërkon që të mos fajësohet zysh BE-ja, por kërkon që të reflektohet nga e gjithë klasa politike, që vendi të mos shpërdorjë edhe më tepër kohë në rrugën e anëtarësimit për në Bashkimin Europian.

“Populli ynë nuk e meriton të mbetet i fundit në rajon, për shkak të liderëve të tij të llastuar! Kemi dhe fare pak kohë për të mos kaluar në kundërkohë! Nuk na mjaftoi që ishim në kundërkohë me gjithë qytetërimin Perëndimor për 45 vite?”, vijoi ai.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2404576679588591

Presidenti i cilëson njësoj të dëmshme për ambicien europiane të Shqipërisë qëndrimet, sipas tij kokëforta të mazhorancës dhe të opozitës.

“Duhet hequr dorë urgjentisht nga kokëfortësia për të ecur në dy rrugë përjashtuese, jodemokratike dhe joeuropiane, që s'kanë pikë takimi, jo vetëm me njëra-tjetrën, por që të dyja e nxjerrin vendin për një kohë të pacaktuar nga rruga europiane e sigurt dhe e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët”, shton ai.

Ai bën thirrje për një zgjidhje urgjente të krizës politike, për të shmangur marrëveshjet e minutës së fundit.

“Shqipëria ka nevojë për zgjidhje! Tani! Në shtator do jetë shumë vonë! Shqipëria është lodhur me marrëveshje tejet të vonuara, që sakrifikojnë të ardhmen e saj, për të shpëtuar karrierat e politikanëve të papërgjegjshëm, në emër të gjoja stabilitetit që ata e minojnë çdo ditë me sjelljet dhe mosveprimet e tyre”, vijoi ai.

Thirrja e Ilir Metës e publikuar në rrjetet sociale u përsërit nga Presidenca nga zëdhënësi i Ilir Metës, Tedi Blushi. Pas kësaj, zëdhënësi i Presidencës u ndal tek vendimi i Metës për të dekretuar ndryshimet e kaluara në Kuvend nga ana e mazhorancës që në seancën e fundit parlamentare të 18 korrikut në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Ndryshimet cekin disa nene, kryesisht nenet që parashikojnë masat disiplinore për anëtarët e organeve të drejtësisë së re, por edhe nenin 221 të këtij ligji, që përcakton kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u emëruar në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Mes kushteve ishtë edhe ai që kandidatët duhet të kenë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Presidenti Meta fajësonte këtë nen që prej fillimit të vitit të kaluar si shkaktar të ngërçit për ngritjen e këtij Këshilli.

“Problematikat e zbatimit të kësaj dispozite ligjore dhe pamundësia reale e disa prej organeve të sistemit të drejtësisë për të zbatuar nenin 221 u konstatua që në janar të vitit 2017, moment ky kur u hodh shorti i parë nga Kuvendi për plotësimin e KED-së. Në këtë dispozitë të ligjit përcaktoheshin kushtet që duhet të plotësonin kandidatët për t’u përfshirë në shortin për t’u përzgjedhur anëtarë të KED. Organet respektive të asaj kohe, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së në këto tre vjet nuk kanë patur mundësinë për të zbatuar nenin 221 në mënyrë të unifikuar pasi jo të gjitha organet kishin në përbërjen e tyre kandidatë që kishin përfunduar shkollën e magjistraturës, siç e kërkonte domosdoshmërisht kjo dispozitë ligjore që sot po ndryshon”, tha zëdhënësi Blushi.

Presidenca thotë se kjo dispozitë e ligjit ishte pengesë serioze për gjetjen e kandidatëve për anëtarë të KED-së dhe rrjedhimisht edhe për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Ndryshimet e Kuvendit shfuqizojnë pikën ç dhe d të këtij neni, ku e para kërkonte që kandidatët të kishin përfunduar ciklin e plotë katër, ose pesëvjeçar të studimeve në drejtësi dhe e dyta përfundimi i Shkollës së Magjistraturës. Në pikën a) është hequr kriteri i përvojës 1-vjeçare si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa është zbutur edhe pika dh) që kushtëzonte dy vlerësime “shumë mirë” etike dhe profesionale. Kjo pjesë nuk ndryshohet, por është shtuar togfjalëshi “nëse janë të disponueshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë