Presidenti Ilir Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” kompozitorin e shquar Enver Shëngjergji, si dhe kompozitorin dhe mjeshtrin e korit shkodran, Zef Çoba.
Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti duke iu drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoni, u shpreh se kompozitorët, Zef Çoba dhe Enver Shëngjergji, janë dy personalitete të shquara të muzikës shqiptare, që i kanë lartësuar me dinjitet vlerat artistike të kombit.
“Zemrat tona ngrihen peshë dhe krenaria e të qenit shqiptar, është e jashtëzakonshme, kur dëgjojmë dhe këndojmë vargjet e këngës, aq të dashur, të kompozuar nga Zef Çoba: “Xhamadani vija-vija/asht Kosova o asht Shqipnia/ rreh si zemër çiftelia/oh sa e madhe asht Shqipnia”.
Ai është gjithashtu krijues i shumë pjesëve të ndryshme vokale e instrumentale, i muzikës për teatër dhe të 16 filmave artistikë, por edhe i këngëve për fëmijë, shumë prej të cilave kanë fituar popullaritet të madh.
Të paharruara janë për ne edhe disa nga perlat e fondit të artë të muzikës së lehtë shqiptare, ‘Vajzat e fshatit tim, ‘Nën kurorën e ullirit’ apo ‘Lulet e mollës” të kompozuara nga Enver Shëngjergji, që me një karrierë mbi 40-vjeçare, ka lënë pas një trashëgimi të vyer artistike, të vlerësuar dhe të pëlqyer nga të gjitha brezat”, theksoi Meta.
Zef Çoba është kompozitor dhe mjeshtër kori shqiptar, i famshëm për kompozimin e këngës “Xhamadani vija vija”.
Ndërsa kompozitori Enver Shëngjergji për afro 40 vjet ka kontribuar me krijimtari në gjininë e këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore.
Është vlerësuar me disa çmime në aktivitetet lokale dhe kombëtare, ndër të cilët mund të përmendim titujt e këngëve: “Udhëtuam së bashku”, “Mbrëmja e fundit”, “Vajzat e fshatit tim”, “Nën kurorën e ullirit”, “Lulet e mollës”, etj. Motoja e tij në krijimtarinë muzikore ka qenë mbështetja në folklorin e pasur të popullit tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.