Presidenti Ilir Meta iu kundërpërgjigj sot Qeverisë me një lëvizje të re duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ligjin për prishjen dhe ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar. Kërkesa kryesore e presidentit është që Gjykata të urdhërojë zbatimin e ligjit dhe të japë vendim për kushtetuetshmërinë e tij.
Meta preferoi që ta dorëzonte personalisht kërkesën, duke e përshkruar në këmbë rrugën nga nga Presidenca drejt godinës në Gjykatën Kushtetuese së bashku me tre këshilltarët e tij.

Kreu i shtetit foli jashtë ambienteve të Gjykatës Kushtetuese për atë që e quajti “rule of oligarchs”. “Është përpjekje për të instaluar me dhunë rule of oligarchs”, tha Meta, duke e vlerësuar aktin e tij si të një rëndësie të madhe.
Ligjin për Teatrin Meta e konsideroi “akt kriminal, në shkelje totale të Kushtetutës dhe në kundërshtim të plotë edhe me interesat kombëtare të vendit, pasi ligji për shkatërrimin e teatrit është një kryevepër sepse si asnjëherë më parë kryhet një krim kushtetues, kombëtar dhe kulturor.”
Numri një i shtetit foli edhe për një drejtësi kombëtare dhe ndërkombëtare kundër atyre që i quajti ‘rilindas kombëtarë dhe ndërkombëtarë’. “Dua t’i siguroj të gjithë se kam ardhur këtu për të garantuar se Republika e Shqipërisë do të jetë një vendi sundimit të ligjit dhe popullit, boll më me sundimin e oligarkëve. Është e domosdoshme të ndërpritet akti kriminal që nisi sot në mëngjes dhe më solli mua këtu. Dua t’i siguroj se do të veprojë drejtësia kombëtare dhe ndërkombëtare ndaj rilindasve kombëtar dhe ndërkombëtarë. Nuk ka forcë në botë që më ndalon mua si president për t’i vendosur përballë drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare rilindasit lokal dhe ndërkombëtarë”, shtoi Meta.
Ai iu rikthye sërish akuzave për kryeministrin Edi Rama sa i përket reformës në drejtësi. “Për faktin që ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese nuk e ka fajin reforma. Pa Gjykatë Kushtetuese na la ‘ramaforma’ dhe është ‘ramaforma’ që shkatoi KED dhe që po përpiqet me të gjitha format e veta për të kapur këtë institucion”, tha presidenti.
Kërkesa, argumentet e presidentit
Kërkesa e presidentit bazohet në 22 nene të Kushtetutës, si dhe në ligjet “Për ratifikimin e “Kartës Europiane të Autonimisë Vendore”, “Për Marrëveshjen e Stabilizim-Asoiçimit mes Shqipërisë dhe shteteve të anëtare të BE-së, si dhe për Konvetën për “Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.
Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe me Marrëveshjet Ndërkombëtare të ligjit dhe pezullimin e zbatimit të tij derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje të hyjë në fuqi janë dy nga kërkesat e presidentit në këtë kërkesë depozituar sot personalisht në këtë institucion.
Meta në këtë kërkesë përmend historikun dhe betejën që ka pasur me Parlamentin me kthimin e dy herë të këtij ligji për rishqyrtim, ku vetëm fillimisht iu pranua vetëm një kërkesë dhe se dekreti i dytë iu refuzua automatikisht nga mazhoranca socialiste.
Ai në kërkesën e paraqitur paraqet 11 argumente, mbi bazën e të cilit pretendon se ligji është në shkelje.

Presidenti, në cilësinë e palës kërkuese në këtë gjykim kushtetues, vlerëson se ligji nuk është në përputhje me parimet kushtetuese; bie ndesh me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; bie ndesh me aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon apo ka ratifikuar; bie ndesh me përcaktimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit; në thelb dispozitat e këtij ligji përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurrencën e lirë dhe bien ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar kështu funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Ligji cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve; bie në kundërshtim dhe jurisprudencën kushtetuese të krijuar nga Gjykata Kushtetuese, mbi parimet e funksionimit të organeve të qeverisjes vendore dhe ushtrimit të kompetencave prej tyre në përputhje me parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore; cenon parimin e sigurisë juridike lidhur me ushtrimin e të drejtave pronësore mbi të drejtat private të pronësisë; nuk garanton mbrojtjen e pronës publike; është në kundërshtim me sistemin ligjor aktual, mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare; paraqet mangësi dhe paqartësi të theksuara në aspektin e leverdisë ekonomike dhe financiare të shtetit, duke krijuar terren të përshtatshëm për abuzim me pronën publike dhe cenimin e interesit publik”, thuhet në kërkesën e Presidentit drejtuar Gjykatës Kushtetuese. (linku)
Konkretisht, sipas Presidentit, nuk është parashikuar në ligj, zgjidhja e një situate ku një palë private paraqet një propozim, shumë herë më të lartë për nga interesi ekonomik për shtetin dhe interesin publik, por nuk ka mundur të realizojë plotësisht apo pjesërisht marrëveshje bashkëpunimi me pronarët privatë të pasurive të paluajtshme që ndodhen në këtë zonë objekt zhvillimi.
“Në këtë mënyrë ligji me kriteret e vendosura dhe me paqartësitë e tij, nuk e ka zgjidhur problemin kushtetues që ekzistonte në lidhje me këtë çështje, pasi sërish nëpërmjet kushteve dhe kritereve të tilla të vendosura në ligj, kufizohet pjesëmarrja në konkurrim, duke bërë kështu që në praktikë të ekzistojë sërish trajtimi preferencial dhe i favorizuar i një ose disa subjekteve të caktuar, gjë e cila sjell si rezultat paracaktimin e fituesit në këtë proces. Për rrjedhojë, arrihet në bindjen se edhe kjo procedurë e re ligjore krijon pabarazi dhe cenim të veprimtarisë së lirë ekonomike dhe barazisë përpara ligjit, parime këto të mbrojtura nga neni 11 dhe 18 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në kërkesën e Presidentit.
Tjetërsimi i pronës publike, shkelje të autonomisë vendore, ndërsa kërkon pezullimin e menjëhershëm të punimeve për prishjen dhe ndërtimin e Teatrit Kombëtar. “Ky pezullim duhet të vendoset dhe të zgjasë për aq kohë sa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje do të hyjë në fuqi. Presidenti i Republikës, nisur nga shkaqet e kundërshtimit të ligjit nr. 37/2018, që lidhen drejtpërdrejtë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe mbrojtjen e interesit publik të përgjithshëm, kërkon që kjo kërkesë të jetë çështja e parë që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë pas konstituimit dhe fillimit të funksionimit të saj, sipas standarteve kushtetuese të reformës në drejtësi të realizuar pikërisht 3 vjet më parë”, mbyllet kërkesa e kreut të shtetit.
Kreu i shtetit ka ndjekur me vëmendje përplasjen mes policisë dhe aktorëve përpara Teatrit Kombëtar. Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale i bëri thirrje policisë së shtetit që të respektojë artistët në ushtrimin e së drejtës për të protestuar.
“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare. As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90! Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!”, shkruan Meta në Facebook.
11 argumentet e presidentit
– Nuk është në përputhje me parimet kushtetuese;
– Bie ndesh me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
– Bie ndesh me aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon apo ka ratifikuar;
– Bie ndesh me përcaktimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit;
– Në thelb dispozitat e këtij ligji përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurencën e lirë dhe bien ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar kështu funksionimin e shtetit të së drejtës;
– Cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
– Bie në kundërshtim dhe jurisprudencën kushtetuese të krijuar nga Gjykata Kushtetuese, mbi parimet e funksionimit të organeve të qeverisjes vendore dhe ushtrimit të kompetencave prej tyre në përputhje me parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore;
– Cenon parimin e sigurisë juridike lidhur me ushtrimin e të drejtave pronësore mbi të drejtat private të pronësisë;
– Nuk garanton mbrojtjen e pronës publike;
– Është në kundërshtim me sistemin ligjor aktual, mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare;
– Paraqet mangësi dhe paqartësi të theksuara në aspektin e leverdisë ekonomike dhe financiare të shtetit, duke krijuar terren të përshtatshëm për abuzim me pronën publike dhe cenimin e interesit publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



