Politike

Meta: Antishpifja? Do e shoh më vëmendje

Presidenti Ilir Meta shprehet se do ta shoh me vëmendje paketën e miratuar nga Parlamenti e njohur si “Antishpifje”. “Do të shoh të zbardhur të gjithë paketën “Antishpifje”. Do t’i shohim të gjitha aktet që janë miratuar në Kuvend” tha Meta gjatë një prononcimi për median.
Kreu i shtetit ndërkohë kërkoi që të merren të gjitha masat dhe ketë një angazhim të plotë të institucioneve në Shqipëri për përballimin e situatës së krijuar pas tërmetit. Ndërsa u fokusua te shqetësimi tjetër që ai cilësoi si një ‘tërmet’ të përditshëm që është shpopullimi, largimi masiv i shqiptarëve dhe kjo për fakt të përplasjeve politike.

Presidenti Ilir Meta duke folur për mediat. Gazeta “Si”, 20 dhjetor 2019

“Shqetësimi më i madh është një tërmet i përditshëm që lidhet me hemorragjinë e vendit të pandalshme në atë që e quaj pa e tepruar shpopullim. Ka qenë tronditëse për mua të lexoja statistikat zyrtare të azilit të muajit nëntor që tregonte qartë një rritje mjaft shqetësuese në gati 16 % në 10 muajt e këtij viti në krahasim me një vit më parë, jo vetëm kaq por kjo rritje është shume herë me e lartë se se Serbia apo Mali i Zi. Të gjitha këto duhet të na bëjnë që të reflektojmë sa më shpejt sepse kjo humbje e besimit është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e këtij konflikti skizofrenik artificial që s’mund të vijojë më të jetë mënyrë qeverisje për një Shqipëri pa shqiptarë. Politika duhet të reflektojë e para dhe shqiptarët duhet ti thërrasin mendjes se mund të ikin në gjithë botën për një punë pagë e arsim më të mirë, por do humbasin përgjithmonë atdheun e tyre”, deklaroi Meta. Presidenti bëri thirrje edhe për reflektim nisur nga situata e krijuar nga tërmetet e rëna dhe apeloi për një politikë gjithëpërfshirëse. “Shpresoj që ky fund viti dhe ky tërmet me shumë pasoja që na mësoi se më e rëndësishme se çdo gjë është jeta e shëndeti e dashuria për njeri- tjetrin të na ndihmojë të reflektojmë për një politike të re që do drejtohet me një mënyrë gjithëpërfshirëse me votim të lirë”, theksoi Meta.
Kuvendi miratoi të mërkurën paketën ‘Anti-Shpifje’, ndërsa tashmë ngelet për t’u parë nëse Presidenti Meta do të dekretojë apo jo ligjin. 82 deputetë dhanë votën pro këtij ligji dhe 13 kundër, ndërsa 5 kanë abstenuar. Kujtojmë se mes deputetëve që abstenuar ishte dhe ish-ministri Ditmir Bushati.

Meta duke folur në konferencën e sotme. Gazeta “Si” 20 dhjetor 2019


Konferenca për lirinë e shprehjes
Presidenti Ilir Meta mori pjesë në Konferencën vjetore të Avokatit të Popullit me temë “Liria pa urrejtje liria e shprehjes përballë të drejtave të tjera të njeriut”. Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë Meta u shpreh se liria medias në Shqipëri është përkeqësuar. “Duhet balancë mes gjuhës së urrejtjes dhe lirisë së shprehjes dhe keqpërdorimit për të goditur kritikët ndaj qeverisë. Liria në media është përkeqësuar. Kjo i ktheu ata në protestë. Pronarët po bëjnë edhe kryeredaktorët. Polarizimi politik nxit gjuhën e urrejtjes. As media, as gazetarët dhe as pedagogët nuk janë dhe nuk mund të jenë armiqtë tanë nga të cilët duhet të ruhemi ndaj dhe nuk mund të trajtohen si të tillë. Vitet e fundit kanë qenë të shumta rastet ku roli dhe kontributi i medias në denoncimin e aferave korruptive dhe veprimtarive kriminale me pasoja të rënda për shoqërinë dhe ekonominë e vendit ka qenë thelbësor. Uroj që pas tërmetit të 26 nëntorit të kuptohet se duhet dialog e gjithëpërfshirës”, u shpreh Meta.


Duke folur në konferencën “Liri pa urrejtje”, Meta uroi që 2020 ta gjejë median më të lirë. “Uroj që viti i ardhshëm të gjejë median dhe gazetarët më të lirë, më të mbrojtur, më aktivë dhe gjithmonë pranë të vërtetës. Por kjo kurrsesi nuk mund të ndodhë me një urim dhe dëshirë pasi kërkon reflektim të thellë të gjithë shoqërisë dhe politikës në radhë të parë. Një mjedis politik i përçarë artificialisht dhe përjashtues nxit gjuhën e urrejtjes në tërësi ndaj uroj që edhe tërmeti që ndodhi të shërbejë si moment reflektimi, ringritje dhe bashkëpunimi pasi vetëm dialogu dhe gjithëpërfshirja na garanton një demokraci të suksesshme”, tha më tej kreu i shtetit.
Në këtë konferencë, pas Presidentit, foli edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili tha se konsolidimi i lirisë është një temë universale, por që në rajonin tonë dhe për vendin tonë merr një domethënie të veçantë. “Ne, shqiptarët kemi mjaft virtyte, por midis tyre shquan toleranca fetare dhe pranimi i lirisë në besimet e tjera. Por këtë virtyt, pra respektimin e lirisë fetare, nuk kemi mundur ta shtrijmë në të gjithë shoqërinë. Kemi një shpërpjesëtim të theksuar midis respektimit të lirive fetare, shpesh edhe etnike, dhe respektimit të lirive politike. Nuk është fjala se politikisht jemi më pak tolerantë sesa si besimtarë. E keqja është se intoleranca, mëritë, ndonjëherë edhe urrejtja politike, “sabotojnë” ose dëmtojnë evitimin e urrejtjes në institucionet e jetës shpirtërore”, tha Ruçi.
Daniel Koski, zv.ambasadori i ambasadës së SHBA në këtë konferencë dha një një mesazh të qartë për shoqërinë shqiptare, ndërsa u bëri thirrje që mos të kthehen kurrë në një vend ku mungon fjala e lirë. I pranishëm në konferencën Kombëtare ‘Liria pa urrejtje’, Koski tha se liria e shprehjes është shumë e rëndësishme për sistemin demokratik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë