Ngjarje

Mësuesit në Korçë dhe Maliq s’kanë marrë pagat e qershorit, kreu i sindikatës: Kanë frikë të flasin se i heqin nga puna

Nga Gazeta Si – Mbi 100 mësues në Korçë dhe rreth 80 mësues në Maliq ende nuk kanë marrë pagat e muajit qershor. Ky problem është ngritur sot nga kryetari i Sindikatës Korçë, Leonard Trebicka i cili tha se diçka e tillë është hera e parë që ndodh dhe ai vetë është informuar për këtë problem ditën e martë.

“Është diçka që nuk ju ndodh vetëm mësuesve të Maliqit dhe Korçës. Ka edhe në rrethe të tjera. Në Korçë janë mbi 100 mësues që nuk kanë marrë ende rrogën e muajit qershor ndërkohë që edhe në Maliq janë rreth 80 mësues. Nga kontaktet që kam bërë me drejtuesit e zyrave arsimore, në këto momente kam marrë ‘ok’ që brenda ditës së sotme pritet që të hidhet në thesar dhe nesër mendohet që mësuesit do të marrin rrogën. Unë si kryetar i sindikatës e mora vesh vetëm ditën e djeshme që mësuesit nuk kanë marrë rrogën, ndërkohë që janë 9 ditë me vonesë”, tha kreu i sindikatës duke shtuar se mësuesit kishin frikë ta ngrinin problemin në media apo të njoftonin sindikatën.

Sipas kryetarit të Sindikatës, ngërçi është tek thesari, që nuk ka para të gjenerojë dhe prandaj janë vonuar pagat.

“Mesa mora vesh kishte një ngërç me Thesarin. Më kanë marrë mësues që prej ditës së djeshme deri sot në telefon duke më thënë që të ngre zërin se kanë fëmijët pa bukë”, tha kreu i Sindikatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë