Takimi u krye e pavarësisht asaj që filtroi gjatë ditës nga Barcelona përmes përgjegjësit e zonës së merkatos Ramon Planes, e ardhmja e Lionel Messi duket se është gjithnjë e më larg Spanjës. Sipas asaj që bën të ditur Radio Catalunya, në takimin e zhvilluar me teknikun e ri blaugrana Ronald Koeman, ‘’10’’ argjentinas ka konfirmuar dëshirën e tij për të ndryshuar skuadër duke thënë se “e shoh veten tashmë më shumë jashtë se brenda projektit, edhe pse i vetëdijshëm për vështirësitë e lidhura me situatën kontraktuale”. Ajo që klubi u përpoq ta përshkruante si një bisedë normale private mes teknikut e lojtarit, mund të jetë hapi i parë drejt një largimi të pabesueshëm.
Zhgënjimi për 8-2 e Lisbonës me Bayern, ishte vetëm akti i fundit i pakënaqësive që Messi i ndjen prej kohësh. Në gjurmët e tij janë City, Psg por edhe Inter që prej kohësh po punon me durim e në mënyrë diskrete, gati të bëjë goditjen që do të ishte epokale për futbollin. Për momentin, në pritje që Koeman të thotë diçka (konfirmojë ose mohojë të lajmin e RAC1) ose që Messi të thyejë heshtjen pas së cilës prej kohësh është fshehur, vlen ajo që tregon emitenti katalanas: largimi i madh po merr gjithnjë e më tepër formë.
Koeman pason Quique Setién, i shkarkuar pas katastrofës europiane kundër Bayern Mynih, me firmën mbi një kontratë deri në 30 qershor 2022 dhe bëhet fjalë për një rikthim në shtëpi. Holandezi ka qenë një legjendë e skuadrës blaugrana, ku ka luajtur nga 1989 në 1995 e me të cilën në 1992 fitoi Kupën e Kampioneve, duke mundur në finale Sampdorian në Wembley në kohën shtesë, me një gol të tijin, përveç katër kampionateve. Koeman është trajneri i pestë hollandez në historinë e klubit katalanas pas Rinus Michels (1971-75 e 1976-78), Johan Cruyff (1988 -96), Louis van Gaal (1997-00 e 2002-03) e Frank Rijkaard (2003-08).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




