Politike

Mesila Doda: Ku nuk bie dakord me draftin “Alibeaj”

Mesila Doda, një nga palët negociatore me PS-së si kryetare grupi parlamentar, ka kundërshtuar pikën thelbësore të përmbajtjes “Alibeaj” për Presidentin.

“U njoha nga mediat mbi draftin e përgatitur nga z. Alibeaj e besoj që në draft ka koncepte që i bashkëndajmë.

Së pari, Kushtetuta shprehet qartë që Presidenti si kreu i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit të popullit duhet të marrë mbështetjen e shumicës së cilësuar dhe është e detyrueshme të kërkohet konsensusi në parlament.

Së cilat janë formulat e përzgjedhjes mund të diskutohet po është e rëndësishme të theksojmë se konsensusi është i detyrueshëm nga Kushtetuta e jo një opsion për maxhorancën.

Përndryshe do kishim vetëm një president si zgjidhje e krizës parlamentare, por jo përfaqësues i unitetit të popullit.

Së dyti, dhe kjo është po ashtu shumë e rëndësishme, nuk e kuptoj se përse kemi tendencën që të përjashtojmë politikën nga presidenca… nëse ka një post për exellencë, ku nevojitet një person politik është ai i presidentit.

Askush nuk mund të paragjykojë e të përjashtojë politikën nga Presidenca. Ka midis nesh, nga e majta dhe e djathta, shumë personalitete që e përmbushin përfaqësimin më të gjerë se forcat e tyre politike.

Duhet të respektojmë profesionin tonë dhe të pranojmë që ka mes nesh personalitete që meritojnë besim dhe respekt, prerogativa të cilat posti i Presidentit i ka të detyrueshme.

Mbetem e mendimit për një president që vjen nga politika dhe është i pranueshëm për të gjitha palët”, shkruan ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë