Futboll

Mesi rrëfen emocionet e penalltisë vendimtare: Triumfi në Doha, një çlirim

Gazeta Si – Lionel Mesi ka folur sërish për triumfin me Argjentinën në Botërorin 2022. Në një intervistë të gjatë për ‘Olé’, ai tregon momentet më emocionuese të atyre ditëve magjike.

“Lutja para penalltisë vendimtare? Ka nga ata që thonë se po flisja me gjyshen time, apo me Maradonën, por nuk është kështu. I kërkova Zotit dhe Gonzalos (Montiel) të shënonte, të mos e zgjaste atë agoni më shumë, sepse po bëhej e padurueshme”, – ka pohuar Mesi.

Mesi me trofeun e Kupes se Botes. Gazeta Si, 3 shkurt 2023

Për ‘Pleshtin’, fitorja në Doha ishte një çlirim: “E kam dëshiruar me gjithë qenien time atë moment. Pas shumë vitesh në kombëtare, pasi shkuam aq afër në 2014-ën… Kam bërë shumë sakrifica, ka pasur shumë humbje dhe momente të vështira.

Familja ime ndoshta e ka përjetuar më shumë se unë. Kam shumë të afërm në Argjentinë dhe kjo pritje po i lodhte, vuanin me mua, ndoshta më shumë. E di që kanë kaluar momente të këqija, por tani jemi çliruar të gjithë nga suksesi i të qenit kampionë bote”.

Një nga imazhet simbol të finales ndaj Francës është pritja e Emiliano Martinez ndaj Kolo Muani në sekondat e fundit. “Ishte gjithçka shumë e shpejtë. Nuk munda ta përjetoja plotësisht atë moment. Vuajta më shumë kur shikoja videot më pas, kam akoma ankth kur i rishoh”.

Mesi kundërshton kritikat për sjelljen gjatë festimeve, ndoshta pak të ekzagjeruara, siç ishte gjesti i Dibu Martinez. “Kritikat më duken të padrejta, kemi pasur gjithmonë një sjellje shembullore, brenda dhe jashtë fushe. Është folur shumë për atë që ndodhi kundër Holandës, por askush nuk thotë çfarë ndodhi më parë, për provokimet gjatë ndeshjes. Ishte mungesë fair-play. Të gjithë flasin për atë që bëmë ne”.

Akti përmbyllës i Botërorit 2022 ishte edhe një sfidë mes tij dhe Kolian Mbape. “Kemi folur shkurt për festimet, si u përjetuan ato në Argjentinë. Asgjë më shumë, kam humbur edhe unë dhe nuk doja të flisja shumë. E kuptoja dhe nuk doja ta zgjasja shumë. Mes nesh shkon gjithçka mirë”.

Dhe në fund e ardhmja: “Jam 36 vjeç dhe më duket e vështirë të mendoj për të qenë në Botërorin e radhës. Por, të luaj futboll deri sa të jem në formë dhe të argëtohem, do ta bëj. Nuk e di, nëse mund ta bëj deri në Botërorin e radhës. Skaloni? Shpresoj të vazhdojë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë