Futboll

Mesi kalon 100 golat me Argjentinën, vetëm 2 lojtarë përpara tij me kombëtaret

Gazeta Si – Lionel Mesi realizoi një tripletë, duke kaluar 100 golat në karrierë me fanellën e Argjentinës. Ai shënoi 3 gola që në pjesën e parë të miqësores ndaj Kurakao. Kampionët e botës e fituan ndeshjen ndaj skuadrës karaibike me rezultatin e thellë, 7-0.

Ishte ndeshja e dytë për Argjentinën pas shpalljes kampione bote në dhjetor. Mesi hapi serinë e golave pas 20 minutash me një gjuajtje në zonë, duke fiksuar kështu golin e 100-të me kombëtaren. Niko Gonzalez shënoi më pas me kokë, Mesi realizoi edhe golin numër 101 me një gjuajtje nga të tijat.

Në minutën e 37-të ylli argjentinas shënoi edhe të 102-tin me fanellën bardhekaltër, ndërsa 2 minuta më parë dha një asist për Enco Fernandez.

Kapiteni argjentinas ka përpara tashmë vetëm dy futbollistë në klasifikimin e shënuesve më të mirë me kombëtaret në ndeshje zyrtare. Ata janë portugezi Kristiano Ronaldo me 122 gola dhe iraniani Ali Daei me 109 gola.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë