Futboll

Mesi: Jam lodhur që më shikoni gjithmonë problem te Barça, është një çmenduri

Largimi i Bartomeut nuk ka zgjidhur problemet  te Barcelona, përkundrazi. Kaosi në aspektin administrativ dhe atë sportiv vazhdon dhe për çdo gjë, një nga emrat që përmendet në vazhdimësi është ai i Lionel Mesit. Si gjithmonë, argjentinasi është në qendër të vëmendjes së mediave dhe në aeroport në momentin e mbërritjes e kanë pritur gazetarë të shumtë, që i kanë drejtuar mikrofonin, duke i bërë pyetje të shumta, në lidhje me gjithçka ka ndodhur te Barcelona gjatë kësaj kohe dhe akuzat që i janë bërë nga agjentët dhe të afërmit e Antoine Griezmann.

“Jam shumë i lodhur që më konsideroni mua gjithmonë problem te Barcelona”, raportohen të kenë qenë fjalët e Mesit pas kthimit të tij sot në Katalonjë, pasi mbylli ndeshjet me përfaqësuesen e Argjentinës për kualifikueset e Botërorit 2022. Lojtari ka reaguar shumë i zemëruar kur është pyetur nga gazetarët në aeroport, të cilët e ngacmuan për deklaratën e menaxherit të Antoine Griezmann, Eric Olhats, i cili ka thënë se te Barcelona është një regjim terrorist i vendosur nga Mesi dhe ai komandon gjithçka në skuadër.

“Unë jam gjithmonë në dispozicion të skuadrës dhe dua të ndihmoj Argjentinën për të arritur objektivat. Ndaj Perusë bëmë një ndeshje fantastike dhe merituam gjithçka. E dominuam kundërshtarin nga fillimi dhe krijuam shumë raste për të shënuar. Jam i lumtur dhe duhet të vazhdojmë kështu. Po punojmë mirë. Unë s’jam më 25 vjeç? Nuk ka lidhje mosha. Jam në skuadër për të ndihmuar futbollistët e rinj dhe për të dhënë kontributin tim që të triumfojmë. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm për të ndihmuar ekipin. Ka shumë futbollistë të rinj të talentuar, të cilët e kanë treguar se mund të jenë të vlefshëm për kombëtaren e Argjentinës. Ne jemi një grup i fortë dhe ka shumë cilësi. E dimë që ndeshjet janë të gjitha të vështira”, ka thënë argjentinasi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë