Barcelona nuk ka ndërmend të ndalet në misionin e saj drejt trofeut të Ligës së Kampionëve. Katalanasit kanë mposhtur edhe Liverpulin në ndeshjen e parë gjysmëfinale me një Mesi në versionin e tij më të frikshëm. Sfida e zhvilluar në “Camp Nou” u mbyll në shifrat 3-0 dhe tashmë Barcelona është me një këmbë në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.
Liverpuli premtoi një ndeshje me ritëm të lartë, por ai që do t’i jepte goditjen e parë ishte pikërisht një “ish” si Luis Suarez. Urugujani përfitoi nga një e çarë në mbrojtjen e “The reds” dhe çoi topin në rrjetë. Pas këtij goli ishte Liverpuli ai që komandoi në “Camp Nou”. Anglezët patën dia raste, por ishin të pasaktë në tentativat për të mposhtur Ter Shtegen.
Në pjesën e dytë filloi “Mesi Show”. Argjentinasi do të merrte edhe një herë tjetër ekipin e tij prej dore, duke shënuar dy herë. Me këta dy gola, Lionel Mesi e çoi në 600 numrin total të golave në karrierën e tij futbollistike. Tashmë mbetet për t’u luajtur ndeshja e kthimit në “Anfield”, por Barcelona është shumë e avantazhuar për të shkuar në finalen e madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




