Gazeta Si – Lionel Mesi ka njoftuar zyrtarisht se ‘Katar 2022’ është Botërori i tij i fundit me fanellën e Argjentinës. “Po numëroj ditët që në ndajnë nga Kupa e Botës. E vërteta është se ka pak ankth tani që po vjen momenti, ose më mirë të them nervozizëm.
Jemi këtu, po vjen Botërori. Nga një anë mezi e pret të fillojë, në anën tjetër ke frikë, sepse do që gjithçka të shkojë mirë. A do të jetë Botërori im i fundit? Me siguri po”, – ka thënë argjentinasi për ‘Star+’.

Mesi nuk është shprehur qartë për lamtumirën nga ‘Seleçión’ pas aventurës së Katarit. Ai vendim do të merret pasi të jetë luajtur Botërori, sepse ‘pleshti’ mund të synojë edhe Kupën e Amerikës 2024, kur Argjentina duhet të mbrojë titullin e fituar verën e kaluar. E sigurt është se sulmuesi i PSG-së do të mungojë në Botërorin e 2026-ës, kur do jetë 39 vjeç.
“Ndihem mirë fizikisht, jam përgatitur mirë para këtij sezoni, – ka vazhduar Mesi. – Vitin e kaluar nuk ishte kështu, i fillova përgatitjet vonë, nuk kisha ritmin e duhur. Pas kthimit nga kombëtarja pata edhe një dëmtim”.
Shumë e shohin Argjentinën si favorite kryesore për të fituar Kupën e Botës. “Jemi në një moment shumë të mirë, kemi një grup të fortë, por në Botëror ndodh gjithçka. Të gjitha ndeshjet janë të vështira.
Botërori është special, sepse favoritët jo gjithmonë janë fitues, apo bëjnë rrugëtimin që pritet prej tyre. Nuk e di a jemi favoritë, Argjentina është gjithmonë kandidate për historinë e saj, për atë që përfaqëson. Aq më shumë tani që kemi arritur në këtë nivel. Mendoj gjithsesi se ka skuadra më të mira se ne”, – ka theksuar Mesi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




