Futboll

Mesdita e së dielës ju fton në ishull

Në vetëm 10.5 milje nga “Emirates” në “Wembley” do të vendoset shumë për sezonin në futbollin anglez. Në të parin (14:30) një ndër derbit e shumtë të Londrës, në të dytin (17:30) Finalja e Kupës së Ligës.

Shpresat e Arsenal-it për titull duken të venitura por një fitore e mundshme e “Gunners” ndaj Chelsea-t do ta reduktonte diferencën në 12 pikë.

Kjo të paktën për 7 ditë për shkak se Liverpool do të luajë për trofeun e parë sezonal ndaj Newcastle. Arsenal kërkon fitoren e parë në më shumë se një muaj dhe vjen pa asnjë humbje në 6 ndeshjet e fundit në Premier League ndaj “Blues” që është mundur në 3 transfertat e fundit në kampionat.

Katër fitoret e fundit të Chelsea-t janë arritur në shtëpi dhe i fundit sukses në transfertë mbetet ai 4-3 ndaj Tottenham në fillimin e Dhjetorit të shkuar.

Në sfidën e fazës së parë që u zhvillua në “Stamford Bridge” në Nëntor 2024, Pedro Neto barazoi pas avantazhit që Gabriel Martinelli realizoi për miqtë.

Finalja e Kupës së Ligës në Angli, Liverpool-Newcastle United

Këtë herë disi më vonë për shkak të riorganizimit të kalendarit si pasojë e formatit të ri në UEFA Champions League, por e diela është pothuajse koha e duhur për Finalen e parë të sezonit në ishull.

Liverpool (që ka më shumë trofe) do të luajë ndaj Newcastle United që nuk e ka fituar asnjëherë Kupën e Ligës. “The Reds” vijnë pas eleminimit nga Champions League në favor të Paris Saint-Germain por ata janë optimistë për të fituar diçka të rëndësishme në sezonin e parë të Arne Slot.

Newcastle vjen pas fitores së vështirë ndaj West Ham të hënën dhe shpreson ti japë fund agjërimit 70 vjeçar pa asnjë Kupë të fituar në historinë e klubit. Alexander Isak vs Virgil van Dijk është dueli i parë që pritet me interes.

Ndërsa Finalja do të vendoset padyshim edhe nga Beteja e mesfushës ku Ryan Gravenberch, Alexis Mac Allister dhe Dominik Szoboszlai (Liverpool) do të provojnë të dominojnë ndaj Joelinton, Bruno Guimarães dhe Sandro Tonali-t (Newcastle).

“Old Firm” nr 445, Celtic-Rangers

Vetëm 90’ pas kalimit të mesditës, në “Celtic Park” të Glasgow-t do të luhet sfida numër 445 në “Old Firm” – ndryshe Celtic vs Rangers (ku aktivizohet edhe Nedim Bajrami).

Vendasit dhe miqtë kanë nga 170 fitore dhe 104 ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim.  Vendasit kërkojnë të rrisin diferencën në 19 pikë (në rast fitoreje) ndërsa miqtë kanë si objektiv reduktimin në 13 pikë. “The Bhoys” sic quhen lojtarët e Celtic kanë fituar “Scottish League Cup” pas suksesit me 11 metërsha ndaj Rangers (Bajrami shënoi golin e parë në barazimin 3-3).

Të dyja skuadrat do të ndeshen edhe në ½ finalen e “Scottish FA Cup”. Në dy takimet e fundit në kampionat Celtic fitoi 3-0 në Shtatorin e shkuar dhe Rangers përsëriti të njëjtin rezultat në Janarin e këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë