Shtetet e Bashkuara të Amerikës urojnë Shqipërinë me rastin e 109-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, duke theksuar se kjo ditë rikujton miqësinë dhe aleancën strategjike mes dy vendeve.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës uroj popullin shqiptar, teksa festoni 109-vjetorin e Pavarësisë. Miqësia jonë e thellë dhe e fortë daton prej më shumë se një shekulli, kur Presidentin Woodrow Wilson mbrojti Pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919”, shkruan në mesazhin e urimit, Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken.
Wilson këmbënguli dhe prezantoi për herë të parë në Konferencën e Parisit parimin e vetëvendosjes për popujt, duke mbrojtur mes të tjerave edhe të drejtën e shqiptarëve për të pasur një shtet të tyrin, në një kohë që një pjesë e fuqive të mëdha të atyre viteve synonin të kënaqnin edhe më tej oreksin dhe ambiciet territoriale të vendeve fqinje në kurriz të trojeve shqiptare.
“Që prej asaj kohe, shqiptarët kanë treguar vetëmohim, rezistencë e forcë për të dëbuar të keqen e shtypjen e diktaturës komuniste dhe ndërtuar një demokraci të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit europian. Shqipëria e tregoi këtë frymë edhe këtë vit, kur hapi dyert e saj për afganët në nevojë, ashtu siç bëri me mijëra hebrenj dhe grupe të tjera që i iknin persekutimit gjatë Luftës së Dytë Botërore”, vijon mesazhi i kryediplomatit amerikan.
Blinken thotë se ky vit barte me vete edhe simbolikën e veçantë të një viti jubilar të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
“Në 2021, festuan 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke kujtuar e festuar atë që amerikanët dhe shqiptarët kanë arritur së bashku që prej vitit 1991. Sot, ne jemi aleatë në NATO dhe vitin tjetër do të shërbejmë së bashku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. SHBA është e vendosur që të mbështesë institucionet demokratike shqiptare, drejtësinë, reformat ekonomike dhe të ardhmen në Bashkimin Europian”, thuhet në mesazhin e urimit.
Mesazhi mbyllet me shprehjen e krenarisë së SHBA, që ka një “mik, aleat e partner besnik” me të cilin pret që të thellojë miqësinë edhe më tej në të ardhmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.