Gazeta Si – “Nuk e di çfarë do të bëj pa Ilarian, ajo është gjithçka për mua. Më kanë hequr zemrën”. Zëri i nënës së Ilaria Sulës, e vrarë nga i dashuri Mark Samson dhe e hedhur nga një valixhe në një luginë pranë Romës, thyhet nga lotët.
Prindërit e vajzës së re, babai Flamur dhe nëna Gëzime Sula, flasin për Tg1 së bashku me vëllain e saj të vogël.
Familjes Sula, i kanë mbetur vetëm kujtimet dhe ky audiomesazh i vajzës së tyre, ku Ilaria i premton se do t’i ndihmojë për të zgjidhur problemet financiare.
Ata tregojnë dhimbjen për humbjen e vajzës së tyre, me sy hapur, ende në mosbesim për tragjedinë që i ka goditur.
“Çfarë është, një objekt?” thotë Flamur Sula, teksa reflekton për faktin se Ilaria e tij ishte vendosur, e pajetë, në një valixhe të madhe, përpara se të hidhej nga një shkëmb.
“Nuk është një triko, nuk është një palë këpucë. Nëna e autorit nuk duhet ta kishte ndihmuar që ta hidhte”, – shpjegon ai, duke thënë në vend të kësaj se ata mund të kishin thirrur për ndihmë, duke u përpjekur ta shpëtonin.
Pavarësisht qindra telefonatave, asnjë mesazh nuk vinte nga Ilaria. Gëzime Sula thotë se menjëherë ka menduar më të keqen. Por ajo që ia shton dozën kësaj tragjedie është mamaja e autorit.
“Mamaja duhet të telefononte menjëherë ambulancën e urgjencën dhe jo ta ndihmonte që ta hidhnin”, tha Flamur Sula.
Së shpejti, Ilaria do të diplomohej, një ditë që mezi e priste. “Fliste edhe për fustanin që donte të vishte për diplomimin”, tha mamaja.
Në lidhje me vrasjen e Ilaria Sulës janë arrestuar Mark Antony Samson dhe mamaja e tij. Kjo e fundit e ndihmoi që të fshihte trupin e pajetë. Sipas hetimeve, pas vrasjes Samson ka shkuar për të ngrënë me një shoqen e Ilarias.
Madje ai ka përdorur telefonin e saj për të devijuar hetimet duke dërguar mesazhe sikur ishte ajo dhe se do të kthehej.
Përveç nënës së filipinasit, policia po heton edhe dy shokë të tij, pasi dyshohet se mund ta kenë ndihmuar në fshehjen e trupit të studentes shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.