Drejtësia

Mesazhi i Berishës për Altin Dumanin në SPAK: Amnistoi krimin monstruoz elektoral

Gazeta Si – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zbuluar mesazhin që i la në SPAK mëngjesin e kësaj të hëne Altin Dumanit, pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si i pandehur për aferën “Partizani”.

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha deklaroi para mediave: “Para largimit, unë i lashë këtë shënim: Altin Troplinit, armikut të egër të votës së lirë të shqiptarëve, amnistuesit të krimit monstruoz elektoral të Ramaduros dhe narkoqeveritarëve të tjerë. Për të gjitha këto, për lidhjet e tij me Troplinin, për milionat e marrë nga Kreshniku i Manzës, ai do përgjigjet para ligjit”, tha Berisha.

Ai ironizoi gjyqtaren Irena Gjoka, duke e cilësuar “ikona e reformës në drejtësi”.

“Fytyra e reformës në drejtësi dhe kapja e kësaj reforme dhe institucioneve të drejtësisë, ikona e kësaj reforme është Irena Maneku Gjoka Spata. Keni parë me dy mbiemra, por grua me pesë mbiemra nuk kam parë gjer sot përveç kësaj”.

Sipas Berishës, gjyqtarja është e dënuar nga gjykata greke për falsifikim vizash dhe ka fshehur këtë të dhënë.

“Një kriminele e dënuar me vendim të formës së prerë të drejtësisë greke për falsifikim të vizës dhe që ka fshehur ligjin, i cili sipas Kushtetutës e ndalon atë të ushtrojë detyrën apo funksionet e magjistratit”.

Akuzoi po ashtu institucionet shqiptare për mosveprim. “Institucionet e kapura të KLGJ-së, SPAK, ILD, nuk veprojnë për këtë krim flagrant, ndaj sot paraqes para jush provën e re, të radhës, vërtetimin e lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Greqisë, me të cilin vërtetohet ekspulsi i Irena Gjoka Manekut nga territori grek si pasojë e hyrjes së saj në Greqi me vizë të falsifikuar.”

Dosja “Partizani”, për të cilën hetohet ish-kryeministri, kaloi më 19 maj 2025 për gjykim, pas shtatë muajsh qëndrimi në seancë paraprake.

Berisha përballet me akuzën për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për përfshirje në korrupsion dhe veprime të paligjshme për pastrimin e parave.

Në këtë dosje janë dërguar për gjykim pesë të pandehur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë