Politike

Mesazhi i Begajt për deputetët: Bëni ligj për përdorimin e Inteligjencës Artificiale  

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh për deputetët me fillimin e sesionit të ri parlamentar.  Fjala e tij është fokusuar tek përpjekjet që duhet të bëjë vendi për anëtarësimin në BE-së, dialogu dhe Inteligjenca Artificiale.   

“Në vigjiljen e 112-vjetorit të shtetit shqiptar dhe të 33-vjetorit të pluralizmit, çështja e dialogut politik në vend dhe në këtë hapësirë të shenjtë të demokracisë duhet të mbetet prioritet. Duhet këtu, në këtë Kuvend, të ngjizet e të lulëzojë si pasqyrë e rritjes sonë të përbashkët dialogu qytetar e demokratik mes forcave politike, mendimeve e qëndrimeve të ndryshme.

 Kalendari i reformave integruese është i ngjeshur dhe detyrat para nesh janë të mëdha e kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm. Kuvendi duhet t’i përqendrojë përpjekjet e tij legjislative në objektivin tonë kryesor kombëtar: anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, thotë ai.

Sipas tij, hapa konkrete ligjore duhen ndërmarrë në rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale, ”në mënyrë që qytetarët tanë të jenë sa të mbrojtur, aq dhe të mbështetur në përdorimin e saj”.

“Ligje të tjera presin përmirësim dhe, në këtë drejtim, vigjilenca dhe kontrolli parlamentar duhet të jenë në nivelin më të lartë. Ne duhet të sigurojmë që çdo ligj që miratohet të jetë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe me standardet më të larta demokratike”, thotë Presidenti.

Një çështje që ka të bëjë sa me integrimin evropian, aq edhe me zhvillimin e vendit, sipas kreut të shtetit, është edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Parlamenti duhet të mbështesë plotësisht reformën në drejtësi, institucionet tona të drejtësisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, duke forcuar kapacitetet e tyre financiare, njerëzore dhe infrastrukturore.

Inkurajoj Kuvendin të promovojë politikën e antikrimit dhe antikorrupsionit si një përballje reale me një të keqe që duhet ta luftojmë në çdo nivel e çdo fushë të këtij fenomeni gërryes për ekonominë dhe kërcënues për demokracinë”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë