Nga Liridon Mulaj – Fituese e çmimit “Poetja Europiane e Lirisë“ në vitin 2022 nga një juri e kryesuar nga nobelistja polake Olga Tokarczuk si dhe shpallja si “Poeti Lauerat” shqiptar për vitin 2023, ishin dy vlerësime të cilat erdhën njëra pas tjetrës për poeten Luljeta Lleshanaku. E përkthyer në 13 gjuhë të botës dhe me një karrierë shumë të gjatë dhe të suksesshme ndërkombëtare, Luljeta Lleshanaku mbetet dritarja e madhe e letërsisë shqipe. E larguar përfundimishit nga Shqipëria drejt Amerikës, Luljeta rrëfen në këtë intervistë për Gazeta “Si” jetën e saj të re në një qytet dinamik si New Yorku, e gjithashtu jep mendimin e saj për Shqipërinë e viteve të fundit, ku Luljeta nuk kursen asgjë dhe askënd. Fundja poeti përveçse krijues është dhe individ i cili preket në mënyrë të drejtpërdejtë ose tërthorazi nga ndikimet e pushtetit politik, shpesh prej pasojave të tij. Kjo intervistë ndryshe e saj vjen si skaner i një kohe të trazuar gjeopolitike por dhe morale e njerëzore.
Si ju gjeti 2025-a?
Unë nuk e kam zakon që të them se jam mirë, edhe kur në të vërtetë jam mirë sepse do më dukej si mburrje apo arrogancë. Para pak ditësh mora një email të dytë nga një revistë angleze, e cila më kishte kërkuar disa poezi të reja për botim një vit më parë, dhe pas një viti, unë prapë nuk kisha asgjë të përfunduar. Kjo sikur më shkundi: çfarë dreqin po bëj? Nuk ka revista nevojë për mua, por unë kam nevojë t’i rikthehem shkrimit, se pastaj nuk e di më se kush jam. Kështuqë kam pak ditë që më është rikthyer entuziazmi, dhe po merrem seriozisht me to. Pra, me dy fjalë, kështu ndjehem për momentin: në harmoni me botën, por në borxh me veten. Prapë nuk është keq…
E keni ndarë jetën tuaj prej shumë vitesh mes New Yourk-ut dhe Tiranës. Prej pak vitesh jeni larguar përfundimisht. Çfarë do të thotë të emigrosh në këtë moshë dhe me këtë status?
E drejtë që e lidhni me moshën, sepse në moshën time njerëzit zakonisht zgjedhin vendin ku të vdesin e jo ku të jetojnë. Emigrimi në këtë moshë është gati vetëvrasje, dhe merret me mend që nuk ka qenë aspak një zgjedhje e lehtë. Plus që përveç vështirësive të parashikueshme në një vend të ri që janë traumatike për këdo besoj, kam edhe ngarkesa të tjera që më kanë gjetur të papërgatitur, si ajo që 24 orë në ditë kujdesem për nënën time të sëmurë rëndë dhe me humbje të kujtesës. Një tranzicion i çuditshëm ky: as në Shqipëri e as tamam në Amerikë (çështje fati!) Kështuqë e kam pothuajse të pamundur të rivendos lidhjet sociale për momentin, apo të frekuentoj mjediset dhe ngjarjet kulturore, të cilat New York-u sidomos, i ka me shumicë. Por nga ana tjetër, kjo mbyllje e detyruar më ka afruar me shumë me anën bazike por të butë të jetës: bëj infermieren për time më, u shërbej njerëzve të dashur, gatuaj (aktualisht i kam duart gjithë shenja djegieje në sobë), laj, pastroj, kaloj më shumë kohë me familjen, me nënën, me tim shoq, me vajzat e mia të cilat më duket se sapo kam filluar t’i njoh, me të afërmit e mi dhe me dy mbesat e mia të vogla. Një apati e ëmbël. Tamam kushte rehabilitimi për dikë që kthehet nga lufta. Herëpashere ndonjë drekë apo darkë me miqtë. Përpiqem të vjedh kohë për të lexuar, për të parë një gjysmë filmi dhe për t’u menduar se fundja kjo është puna ime… Me mendje të kthjellët, po i rikthehem gjithçkaje që kam shkruar vitet e fundit dhe zbuloj që kam pasur të drejtë që nuk kam botuar pothuajse asnjërën prej tyre se më rrinë si rroba të ngushta në atë që jam sot; këtu dalloj gjurmët e transformimit të brendshëm brenda këtyre tre viteve. Përveç të tjerash, qe një vdekje në familje, tepër e dhimbshme, qe si një vrimë e stërmadhe në akull, që zbuloi disa ujëra të fjetur brenda meje, ujëra të errët, të natyrës metafizike dhe ekzistenciale, etj.
Në lidhje me statusin si poete, asgjë nuk ndryshon. Unë jam njohur këtu si autore shqiptare e përkthyer dhe do të vazhdojë të jetë kështu përsa kohë të shkruaj e të botoj, pavarësisht nëse jetoj në Shtetet e Bashkuara, në Shqipëri apo Groenlandë (po e marr si shembull meqë është kaq në qendër të vëmendjes kohët e fundit). Madje edhe autorë shqiptarë që jetojnë prej shumë vitesh jashtë Shqipërisë dhe janë shtetas të këtyre vendeve (dhe ka pasur të tillë në Gjermani, Zvicër, Finlandë, Angli, Kanada, Francë, Itali, etj), edhe kur i shkruajnë direkt në gjuhën e vendeve ku jetojnë veprat e tyre, prapëseprapë, nëse e keni vënë re, prezantohen si autorë shqiptarë, sepse vepra e tyre në një mënyrë apo në një tjetër ka Shqipërinë si subjekt. Madje, madje, botuesve, mediave u intereson ky aspekt dhe e theksojnë, sepse kjo është një mënyrë për të terhequr vëmendjen e tregut. Në mos tematika shqiptare, vetë autori i ardhur nga një vend i tillë, gjithsesi përbën një lloj sensacioni në treg, gjë që shfrytëzohet nga botuesit. Pra, nga njëra anë kemi disavantazhin e madh të shqipes si “gjuhë e vogël” që kërkon doemos përkthyesin, dhe nga ana tjetër kemi avantazhin e të qenit një botë e paeksploruar plotësisht në sytë e lexuesit, që me pak intuitë edhe ne po mësojmë ta shfrytëzojmë, mendoj.
Por largësia më penalizon shumë kur bëhet fjalë për aktivitetet në Europë, që në kushtet e mia, bëhet dy herë më e vështirë. Deri tani ia kam dalë që të mos i humbas ato më të rëndësishmet, por për shkak të shëndetit të nënës, kjo sa vjen dhe bëhet më e vështirë.
Si e shihni veten në raport me një qytet të madh si New Yorku? Çfarë ndjesie ju jep jeta në një qytet të madh dhe dinamik?
Sa herë që rihyn në Amerikë, oficeri i kufirit të thotë me mirësjellje: “Miresevjen në shtëpi!” Ndoshta të tjerëve nuk do t’i bënte përshtypje, por mua më prek shumë sa herë që e dëgjoj, se e kam ndjerë shumë mungesën e “shtëpisë”, atdheut, vendit të cilit i përket, që kur isha fëmijë, tek shihja njerëzit e mi që vuanin padrejtësisht, që u burgosën, plaçkitën, refuzuan, shtypën, anatemuan në tre breza në Shqipërinë komuniste. Një vend të bëhet shtëpia jote kur është i drejtë me ty, kur të trajton me dinjitet, kur të jep siguri, mundësi, shpresë, mbrojtje. Dhe Amerika është një vend tillë, duke u bërë strehë e miliona njerëzve nga e gjithë bota, përfshirë edhe të parët e mi, që ikën prej mizorive të regjimit të Enver Hoxhës. Dhe ja ku erdhi edhe radha ime…
Unë këtu ndjehem në shtëpi! Nuk është mirëqenia, por kultura e pranimit, pozitiviteti, empatia sociale, korrektësia e shërbimeve, respektimi ndaj çdo individi pavarësisht klasës, ngjyrës, fesë, ato që e bëjnë këtë vend “shtëpi”. E New Yorku nuk bën përjashtim, madje është edhe më liberal dhe gjithëpranues se pjesa tjetër e Amerikës. Por te njujorkezët gjen një lloj lirshmërie apo shkujdesjeje që reflektohet që në gjestet e vogla, veshjen, ecjen, të folurit, ritmin neurotik dhe një lloj vetëbesimi sikur e dinë se ku shkojnë. Janë të drejtëpërdrejtë, me humor dhe po kaq privatë nga ana tjetër. Herëpashere, në rrugën para ndërtesës dëgjoj një zotëri të gjatë, me siguri ndonjë këngëtar opere në pension, që këndon me zë të lartë në qejfin e vet sa herë vjen e shkon, dhe askush nuk habitet, madje nuk kthen as kokën. Askush nuk të pyet kush je apo me se merresh, por vetëm shkëmbehen përshëndetje dhe buzëqeshje që këtu konsiderohen normë. Por nga ana tjetër, sa privatë janë, aq edhe solidarë kur vjen puna për të kërkuar një të drejtë, duke filluar nga shërbimet më të thjeshta e deri tek peticionet politike apo aktet në shërbim të komunitetit. Një herë, brenda gjysmë orë u mblodhën dy mijë firma kundër mbylljes së një pavijoni në Spitalin Universitar Columbia (pjesa më e madhe e fqinjëve të mi punojnë në shëndetësi). Këto janë reagime që e bëjnë funksionale një shoqëri dhe mua më impresionojnë jashtë mase ngaqë më kanë munguar në Shqipëri.
Sa ju mungon Tirana?
Më mungon Tirana, Kruja, Shëngjini ku kalonim pushimet me fëmijët e vegjël, më mungon çdo rrugë e çdo vend me të cilin më lidh një kujtim! Nuk ka rëndësi nëse jam kritike me të apo jo, nuk ka rëndësi nëse iki apo rri, Shqipëria është historia ime, është kujtesa ime, është jeta ime me të mirat e të këqijat, është kjo që jam, është ato që kam shkruar e që ndoshta do të vazhdoj të shkruaj, pra, nuk i iki dot edhe po të dua. Është ashtu siç është dhe pjesë e rëndësishme e identitetit tim. Më mungojnë ata pak miq të mirë që kam, të gjallë e të vdekur; më mungojnë ata zotërinj që u mbijetuan burgjeve komuniste dhe që më besuan rrëfimet e fundit të jetës, më mungon puna me studentët në Akademinë “Marubi”, më mungon humori, zhurmat, ai optimizëm të cilin zor se mund ta gjesh diku tjetër dhe që na ka mbajtur gjallë si popull. Por…
Por…? Si e sheh poetja prej së largu gjendjen politike dhe shoqërore në Shqipëri? Një mendim e keni besoj…
Kur të vjedhin, jo vetëm që të varfërojnë por edhe të poshtërojnë, sepse të nënvleftësojnë, sepse mendojnë se ta kanë hedhur. Në të vërtetë nuk ta kanë hedhur aspak sepse nuk duhet shumë mend për të kuptuar se ç’po ndodh, por i ke duart e lidhura dhe je i pafuqishëm për t’u përballur me të, se nuk beson më tek institucionet, dhe me të drejtë siç u pa nga procesi i vetting-ut dhe zhvillimet e mëvonshme. Dhe është shumë e lehë të abuzosh me një popull të cilit akoma nuk i ka dalë frika e komunizmit, një popull që akoma e sheh qeverinë si makinë shtypëse ose si Zotin në tokë, dhe jo si administruese, si zgjedhjen e tij për t’i shërbyer. Dhe gjithë ky korrupsion galopant që paska prekur çdo qelizë të sistemit (gjë që tashmë është fakt), shkatërroi konkurrencën e lirë që është baza e çdo shteti demokratik, duke shkaktuar një dëm të pariparueshëm moral më shumë se sa fizik, mendësinë e të jetuarit në rrugë të pandershme. Ky degradim nuk filloi sot, madje as para dhjetë vitesh, por shumë më herët, por sot falë neglizhencës tonë, vetëm arriti në pikën e vet të perfeksionit, aq sa duhet studiuar si model në shkolla. Një gazetar suedez më pati thënë që Shqipërisë i duhen 50 vjet që të çlirohet nga pasojat e komunizmit, por me këtë regres të jashtëzakonshëm, tashmë as 150 vjet nuk mjaftojnë për t’u kthyer në normalitet. Askush nuk ka kohë të presë, se një jetë ka gjithkush. Atëherë, ik, siç edhe po ikin të gjithë, sidomos të rinjtë, është shumë e dhimbshme! Vetëm fakti që 500 mijë shqiptarë braktisën vendin pesë vitet e fundit, do të mjaftonte për dorëheqje masive, thjesht si paaftësi për të menaxhuar, sepse askush nuk ka të drejtë të mbajë peng një popull për egot personale. Dhe nuk dështoi vetëm politika, por dështoi e gjithë shoqëria, dështuam dhe jemi përgjegjës të gjithë, si ata që u bënë pjesë e këtij sistemi ashtu edhe ata që heshtën (së paku, këtë mësim duhet ta kishim marrë nga historia!). Kjo është përgjegjësia kolektive! Dhe me dhemb shumë, po aq sa ndjehem në faj…
Po edhe po pata ndonjë pendesë që ika, sa herë kthehem në Shqipëri, ajo më fshihet që ditën e parë. Ja, një episod nga hera e fundit në Shqipëri: rrugës me taksi, na ndalonin autostop njerëz, hallexhinj, që kërkonim t’i merrnim deri në Elbasan. Prej tyre mësuam që problemi ishte se terminali i autobusëve për në qytetet juglindore ishte zhvendosur nga Bashkia në Farkë, tek TEG, pra, plot 4 km nga qendra e qytetit. Mendoje: me urban, megjithë pritjet, rruga zgjatet edhe një orë a një orë e gjysëm nga qendra tek TEG; për taksi, sigurisht që nuk ua mban xhepi se kushton sa një gjysmë dite pune vetëm ky segment, kryesisht njerëz që shkojnë në Tiranë për ndonjë punë, hall, për spitale, apo studentë… Terminalet e autobusëve apo trenave në të gjithë botën ndodhen në qendër të qytetit, për t’ua bërë të lehtë shpërndarjen në destinacione qytetarëve. Kur ka vend për kulla në qendër të Tiranës, pse nuk ka vend për një terminal autobusi? Këta sikur e kanë moto t’ua nxijnë e t’ua bëjnë sa më të padurueshme jetën njerëzve! Po sa i pashpirt duhet të jesh! Sinqerisht m’u mbushën sy me lot. E se kush përfiton nga ky investim pastaj, besoj se nuk ka fort vend për koment. Ama, vetëm qytetari jo.
Për aq sa keni vënë re dhe keni takuar në ardhjet e juaja të rralla në Tiranë, si e shihni mjedisin letrar? Ka ende një seriozitet krijues që orientohet vetëm drejt veprës?
Qëndrimet e mia kanë qenë shumë të shkurtra për fat të keq, pa mundur të kuptoj se çfarë po ndodh rrotull. Botimet e reja, gjithashtu nuk i njoh, përveçse si tituj. E vetmja revistë letrare nga ku mund të marrësh deri diku një lloj informacioni është Ex-libris; mund të ketë edhe të tjera por që unë nuk i di…
Distanca, koha që nuk e kam, bëjnë të veten dhe më bëjnë të mos ndjehem mirë. Jo se e kam detyrim, porse është një mënyrë për të qenë në kontakt me zhvillimet në Shqipëri. Por edhe kur isha në Shqipëri, nuk kam qenë fort e informuar sepse bëja një jetë shumë të mbyllur dhe nuk isha e pranishme në rrjetet sociale të cilat gjithsesi shërbejnë si një burim i freskët informacioni.
Ju jeni Poetja Laureate e Shqipërisë. Mandati juaj përfundon këtë vit. Si ishte kjo përvojë?
Deri tani, nuk kam bërë asgjë në këtë rol përveçse kam pasur një bisedë publike tek Shtëpia e Librit dhe një tjetër në “Europe House” në Zyrën e Delegacionit të BE-së në Tiranë. Nuk kam ndonjë kontratë, por më është thënë, që gjatë këtij dyvjeçari, duhet të bëj diçka, pra, të jap një lloj kontributi, duke iu referuar edhe përvojave në vende të tjera. Jam përpjekur, t’ju them të drejtën. Ata që kanë besim tek unë, kanë pritur një lëvizje substanciale nga ana ime, por projektet që lënë gjurmë kërkojnë grupe pune, bazë ligjore, kohë dhe të jesh pjesë e institucionit. Unë propozova një databazë elektronike të poetëve shqiptarë, si një mënyrë për t’i bërë të aksesueshëm nga gjithkund, por, është një projekt që kërkon grup pune dhe impenjim të plotë.
Propozova edhe krijimin e nje reviste letrare, sepse revistat janë një pasqyrë shumë e mirë e zhvillimeve letrare. Ideja e një antologjie dukej më e mundshme për materializim dhe unë vendosa të bëj një antologji shqipe të poezisë të shekullit të XXI, por edhe kjo është pothuajse e pamundur pasi për të bërë një projekt të tillë duhet të shfletoj fizikisht çdo libër me poezi të 25 viteve në bibliotekat e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, sepse versionet online nuk ofrohen. Përveçse e pamundur të shpenzoj javë me to në bibliotekat përkatëse, në Tiranë mora vesh që janë ndërprerë përkohësisht shërbimet në Bibliotekën Kombëtare. E unë nuk mund të bëj antologji pa e lexuar çdo libër, duke u nisur vetëm nga opinioni, sepse do të ishte shumë e padrejtë. Kështuqë, ra edhe kjo ide. Ndërkohë, Sokol Çunga më dha idenë e krijimit të një serie regjistrimesh me interpretimet që vetë poetët shqiptarë u bëjnë veprës së tyre, me qëllimin që të përfshihet në programet shkollore si një formë e edukimit të artit, por edhe ky ra si projekt, sepse programet u dashkan miratuar së pari nga Ministria e Arsimit e Qendra nuk ka akses në shkolla. Atëherë, mbeti të bëjmë një seri bisedash online me audienca të ndryshme, gjë që është e lehtë dhe e këndshme për mua, dhe/ose një workshop online në shkrimin krijues për autorët e rinj gjatë këtyre muajve që kanë mbetur.
Por ju kujtoj që titulli Laureat në SHBA psh, shoqërohet me një bursë dyvjeçare dhe poetit i ofrohet edhe një dhomë pune në Bibliotekën e Kongresit, kështuqë nuk mund të pritet i njëjti kontribut edhe këtu, ku çmimi ka një vlerë monetare modeste dhe përfshirja është më shumë simbolike.
Realisht asgjë nga këto më sipër nuk mund të sjellë ndonjë ndryshim substancial. Ndryshime substanciale kanë të bëjnë me politikat e Qendrës së Librit dhe të Ministrisë së Kulturës. Kontributi im do të ishte shumë herë më i vlefshëm të loboja për krijimin e një fondi të përhershëm grantesh për zhvillim projekti, apo bursa për përkthyes të huaj të letërsisë shqipe, si një mënyrë që ata të familjarizohen me gjuhën, historinë dhe trashëgiminë letrare dhe për krijimin e dy apo tre rezidencave të artit, si mjedise të përshtatshme pune për ta, pasi të gjitha këto nuk mund të jenë iniciativa individuale. Gjithsesi, ia paraqita si rekomandime Qendrës.
Dhe ajo që duhet të bëjë Qendra e Librit, madje me urgjencë, është përfshirja me projekte në rrjetet e organizatave evropiane. Sot kështu funksionon. S’ka asgjë që mund t’i shërbejë njohjes së shkrimtarëve shqiptarë në botë, më shumë se sa shkëmbimet e organizatave midis tyre, që janë pjesëmarrje në evente letrare dhe projekte të tjera të përbashkëta.
Kudo në Europë ka një rënie drastike të leximit por dhe interesit ndaj letërsisë. Në Shqipëri këto shifra janë thuajse alarmante. A e ka humbur libri betejën me informacionin e shpejtë dhe pa thelb?
Libri dhe letërsia janë dy gjëra të ndryshme. Në këtë rrugë ku jetoj unë, ndodhet një tip kioske ku banorët nxjerrin rregullisht libra për dhurim, gjë që ne na duket e çuditshme. Ndodh për shkak të hapësirës, sepse hapësira ka kosto të madhe në Neë York. Mes tyre kemi gjetur kryevepra; e pabesueshme! Përveç të tjerash, libri si objekt nuk është aspak praktik në epokën e smartfone-ve. Ndaj edhe botuesit po i praprijnë duke ofruar edhe versionet elektronike, Kindle edition psh, që të mund të lexohet në celular, tablete, kompjutera dhe pajisje të tjera elektronike. Unë psh, kontratën për një libër që është në proces e kam për libër në version të shtypur por edhe eletronik.
Por, ajo që më tremb është humbja e interesit për letërsinë, dhe nuk jam e sigurtë nëse ka vërtetë një rënie të dukshme. Ama, për një gjë jam e sigurtë: që lexuesit e sotëm kërkojnë një tjetër lloj letërsie, më të lehtë për t’u përtypur, më argëtuese, që në një farë mënyre ta bën jetën më të lehtë. Kam bindjen se, ata autorë eruditë të pas Luftës së Dytë Botërore (psh) që krijuan shkolla letrare dhe një model lexuesi elitar dhe të përgjegjshëm për epokën e tyre, sot zor se do të gjenin treg. Dhe poezia, për natyrën e saj abstraguese, është akoma më e rrezikuara të humbasë terren.
Letërsia shpesh ka qënë pararojë e ngjarjeve të mëdha politike. Kam parasysh këtu romanet distopikë që deri diku parashikuan sistemet diktatoriale në botë. Por prej pak vitesh kjo lloj letërsie është rikthyer të shkruhet dhe të vlerësohet. Dy shkrimtarët e momentit në Europë, Georgi Gospodinov dhe Paul Lynch shkruajnë për një botë e cila po rend drejt censurës, izolimit dhe luftës. Si e shihni këtë tendencë ju dhe a është vërtetë bota sot më e rrezikuar?
Meqë ra fjala, libri “1984” i George Orwellit është libri më i shitur në Amazon. Përveç librave që janë shumë të njohur si profetikë, një pjesë e madhe e letërsisë, në një formë më pak direkte ndoshta, apo si fantashkencë, reflekton shqetësimin për mbërritjen e një epoke të frikshme për njerëzimin, me rreziqe që vijnë nga ekstremizimi i politikës, teknologjia, dëmtimi i natyrës e deri tek ndërhyrjet e civilizimeve aliene. Libri “Zhurma e Bardhë” e Don Delillos psh, paralajmëron katastrofën e helmimit nga mbetjet toksike. Po, është e qartë që po jetojmë një epokë shumë të trazuar, ndoshta më e trazuara që nga lufta e Dytë Botërore, me rritjen e ekstremit të djathtë, populizmit, me një luftë në zemër të Europës që mund të marrë përmasa të frikshme, me Lindjen e Mesme që është një bombë me sahat, me Lindjen e Largët jo më pak…
Nga ana tjetër, shkenca, teknologjia, sa ia ka lehtësuar jetën njeriut nga njëra anë, aq edhe e ekspozon atë, duke vënë në rrezik ato të drejta dhe liri themelore të fituara me shumë mundim. Pra, njeriu sot, është më i kontrolluar se kurrë. Ndotja e mjedisit, përdorimi në masë i kimikateve, modifikimet genetike të ushqimit, tashmë kanë filluar të japin pasojat e veta. Pra, nga mungesa e vizionit dhe keqmenaxhimi, i kemi hapur luftë vetes në disa fronte njeherësh, dhe zor se mund t’i fitojmë të gjitha betejat…
Të shkruash për një botë që po rend drejt censurës dhe izolimit, nuk është një fantashkencë, por një frikë e bazuar sepse kemi një model të prekshëm, një histori të vonë, prej së cilës jemi shkëputur vetëm pak vjet më parë, që është përvoja në regjimet komuniste; Europa Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë, akoma po vuan pasojat e ketyre regjimeve. Pra, shqetësimi është real dhe jo fiksional. Dhe nazizmi gjithashtu, nuk i përket një historie e largët. Shekulli i XX qe një sprovë e madhe për njerëzimin që i mbijetuam gjithsesi, por a kemi marrë mësime?
Kurse, përsa i përket letërsisë, ngritja e temave të tilla, sigurisht që ngjall shumë interes. Është tjetër gjë pastaj nëse letërsia, edhe kur shkruhet mjeshtërisht, arrin të influencojë publikun duke i paraprirë një të keqeje. Unë nuk di ndonjë rast që letërsia t’u ketë ndryshuar rrjedhën ngjarjeve. “Iliada” e “Odisea” e Homerit, apo tragjeditë e Shekspirit, kanë brenda tyre të gjitha format e origjinës dhe degradimit të pushtetit, dhe prapë nuk kanë bërë. Madje as arte më popullore se letërsia, si kinemaja psh, nuk e kanë bërë këtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.