Teknologji dhe Inovacion

Mes të drejtës dhe parasë, peshorja anon gjithmonë nga e dyta

Apple u vendos përballë një zgjedhjeje të vështirë; të hiqte nga dyqani i vet online një aplikacion të përdorur masivisht nga protestuesit e Hong Kongut për të lokalizuar vendndodhjen e policisë, ose ta lejonte atë dhe të përballej me pasojat financiare që do të mbërrinin nga reagimi i Pekinit.

Siç ndodh shpesh, kur vjen puna për të vënë në peshore “gjënë e duhur” dhe “paranë”, kandari anon gjithmonë nga kjo e dyta. Apple hoqi nga dyqani i vet aplikacionin në fjalë duke argumentuar se “aplikacioni është përdorur për të ngritur kurthe dhe sulmuar policinë, kërcënuar sigurinë publike dhe shfrytëzuar nga kriminelët për të shënjestruar banorë, dyqane dhe banesa në zonat ku e dinë që nuk ka prani policore”.

Apple mund t’i jepet pjesërisht të drejtë tek ky arsyetim, por duket se pas këtij justifikimi më shumë qëndrojnë shifrat e majme që kompania amerikane siguron nga tregu kinez. Në tremujorin e fundit, Apple shiti 9 miliardë dollarë iPhone, aksesorë dhe shërbime të tjera vetëm në Kinë, ndësa në gjashtë muajt e parë të këtij viti, kompania amerikane ka shitur 23.4 miliardë dollarë.

Pra, nëse mesatarja e shitjeve të produkteve Apple për një tremujor në Kinë do të merret 10 mld dollarë, bëhet fjalë për një treg prej 40 miliardë dollarësh në vit. Shuma është aq e madhe sa as kompania e vlerësuar si kompania më me vlerë në botë nuk ka luksin që ta humbasë.

Kjo është arsyeja e vërtetë që Apple fshiu nga AppStore aplikacionin e quajtur “HKmaps”, të cilin protestuesit që po mbrojnë demokracinë e kanë përdorur për të mësuar se ku po mbaheshin protestat dhe ku ndodhej policia dhe barrikadat e saj.

Këtij aplikacioni i është njohur një meritë e madhe për dështimin e autoriteteve kineze për të shtypur protestën e qytetarëve dhe ai përfundoi tek “China Daily”, një gazetë e konsideruar si zëdhënësja e elitës drejtuese në Pekin.

“Apple duhet të mendojë pasojat e veprimeve dhe vendimeve të saj naive dhe të shkujdesura. Ata duhet ta dinë që vetëm zhvillimi i Kinës dhe i Hong Kongut të Kinës do t’u sigurojë atyre një treg më të gjerë dhe më të shëndetshëm”, shkruante kjo gazetë.

Elitës drejtuese në Pekin qartazi nuk i pëlqen që të sfidohet as në Hong Kong, as në Tibet, as në tek ujgurët në Xinjiang dhe as nga të tretët që me veprimet apo mosveprimet e tyre radhiten në krah të tyre.

Apple e mori mesazhin dhe iu bind Pekinit, duke i shmangur vetes një përballje tjetër me regjimin kinez, që në të shkuarën i ka kushtuar miliarda dollarë. Kina i ka bllokuar disa vite më parë iBooks dhe iTunes, ndërkohë që në 2016 i bllokoi iPhone 6 pas një përplasjeje për të drejtën e autorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë