Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka arritur në Kiev në një vizitë të paplanifikuar.
Kryediplomati amerikan arriti në Kiev, disa orë pasi kryeqyteti ukrainas u shënjestrua nga sulmet ruse me raketa.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka lëshuar asnjë deklaratë lidhur me qëllimin e vizitës së Blinkenit, por kjo vizitë vjen disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkarkoi ministrin e Mbrojtjes dhe disa zyrtarë të tjerë pas shqetësimeve për përfshirje në korrupsion për prokurimin e pajisjeve ushtarake.
Një zyrtar i paidentifikuar amerikan i tha Associated Press dhe CNN se vizita e Blinkenit ka për qëllim vlerësimin e kundërofensivës tremujore ukrainase dhe sinjalizon vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kievin.
Zyrtarët thanë se Blinkeni po ashtu do të njoftojë për një pako të re të ndihmës, në vlerë prej 175 deri në 200 milionë dollarësh. Kjo ndihmë vjen një javë pasi Uashingtoni kishte njoftuar për një pako të ndihmës për Ukrainën.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, SHBA-ja i ka dërguar ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej mbi 43 miliardë dollarësh.
Kjo është vizita e katërt që Blinken realizon në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të këtij shteti shkurtin e vitit të kaluar. Herën e fundit, ai kishte vizituar Ukrainën në shtatorin e vitit 2022.
Para vizitës, Rusia sërish shënjestroi kryeqytetin ukrainas me raketa lundruese. Përmes një postimi në Telegram, Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake në Kiev, tha se mbrojtja ajrore ka rrëzuar raketat. Autoritetet lokale nuk raportuan për viktima apo dëme nga sulmet në kryeqytetin ukrainas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



