Shendet

Mes shumë virozave që qarkullojnë në Shqipëri, Omicron dallohet vetëm me testin PCR

Omicron së bashku me rritjen e menjëhershme të rasteve ka krijuar edhe shqetësim në popullatë për “mos identifikimin e saktë të gjendjes dhe simptomave”.
Mjekët e përgjithshëm në qendrat shëndetësore kanë thënë për Gazetasi.al se ka raste të shtuara të pacientëve me simptoma të gripit dhe Covid-19 të cilat nuk mund t’i dallojnë vetë. Ata shpjegojnë se hasin rreth 10-15 raste në ditë të rritur dhe fëmijë. Ndërkaq ata konfirmuan se ka pasur edhe raste kur testi i shpejtë ka dalë negativ dhe testi PCR dy ditë më vona ka dal pozitiv, gjë që sjell vonesë në marrjen e trajtimit.
Mjekja Valbona Gashi ka shpjeguar për Gazetasi.al se ka hasur shpesh raste të ngjashme me Covid-19, por tamponi i shpejtë ka rezultuar negativ. Mjekja shton se ka rreth një muaj që në qarkullim është edhe gripi dhe simptomat e njëjta e bëjnë më të vështirë dallimin vetjak.
“Më së shumti ka qarkullim të rripit tip A dhe simptomat janë kryesisht me temperaturë të lartë dhe kollë. Këto raste trajtohen simptomatikisht njëlloj si Covid-19, përveç antiviralit që jepet specifik për gripin”, shton mjekja.


Ndërkaq mjeku epidemiolog në SIHP, Dritan Ulqinaku ka shpjeguar për Gazetasi.al se trajtimi i simptomave bëhet sikur të jetë Covid-19, ndërkohë që identifikimi nëse është grip apo varianti Omicron bëhet vetëm me anë të laboratorit.
“Identifikohet me anë të testit të shpejtë por përqindjen e ka më të ulet, se duhet të kapet në tre ditët e para dhe jo në pesë ditët e para sa ka qenë për variantet e tjera”, shtoi Ulqinaku.
Mjeku shton se për identifikimin e saktë gjithmonë është përdorur PCR.

Qarkullimi i varianti shumë i transmetueshëm “Omicron”, ka sjellë një rritje të rasteve, ku një ditë më parë u shënuan 801 qytetarë pozitivë. Ky variant tashmë është dominant në pjesën më të madhe të vendeve në botë dhe sipas mjekëve infeksionist pritet që në Shqipëri kulmi i rasteve të jetë në mes të muajit Janar.
Agjencia e Ushqimit dhe Barnave në SHBA ka deklaruar javën e shkuar se Testet e shpejta të Covid-19 mund të mos jenë aq efektive në zbulimin e Omicron në krahasim me variantet e tjera të Covid-19.
"Të dhënat e hershme tregojnë se testet e antigjenit zbulojnë variantin Omicron, por mund të kenë ndjeshmëri të reduktuar," ka deklaruar FDA.
FDA shtoi se do të vazhdojë të autorizojë përdorimin e testeve të antigjenit - të cilat funksionojnë duke zbuluar proteinat sipërfaqësore të virusit Covid-19 - dhe se individët duhet të vazhdojnë t'i përdorin ato në përputhje me udhëzimet, por duhet që të përdorin më shumë testet PCR për variantin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë