Keshilla

Mes shqetësimeve për kancer të lëkurës, solaret po rikthehen

Krevati i nxirjes, apo siç njihet, solari, është një trend i dekadave të shkuara që askush nuk priste të rikthehej. Brezi i 20 e ca vjeçarëve, Gen Z ka nisur të shprehë dashurinë (dhe dezinformimin) për nxirjen artificiale, duke rikthyer dhe njëherë trendin kontroversial.

Për dermatologët, kjo është e çuditshme, pasi pikërisht ky brez është tepër i shqetësuar për plakjen dhe kujdesin e lëkurës. Ata kanë shpikur regjimin me 15 hapa për lëkurën.  

Prej kohësh, shkenca ka provuar se solaret janë të rrezikshme dhe kjo nxiti rënien e këtij biznesi. Në vitin 2009, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimet e Kancerit tha se rrezet ultraviolet që prodhohen artificialisht janë në grupin e parë të lëndëve kancerogjene, me një listë me asbestin, plutoniumin dhe nikotinën. Që atëherë, shumë vende ndaluan përdorimin e tyre. Solaret e humbën shkëlqimin e tyre atëkohë, por mesa duket jo për shumë gjatë.

Qendra estetike në SHBA po rikthejnë krevatet e nxirjes dhe po shtojnë kapacitetet e tyre, pasi interesi i klientëve po shtohet.

Edhe pse ka shumë rreziqe, të rinjtë nuk janë fort të frikësuar. Ky brez është më pak i informuar për rrezikun e rrezeve UV, thonë anketat. Mjekët po i shikojnë rezultatet dhe në jetën reale. 

Heather Rogers, një dermatologe në SHBA, thotë se çdo javë përballet me shenjat e kancerit në lëkurë tek pacientë më të vegjël se 40 vjeç.

Për të, gjetjet e sondazhit tregojnë se ka shumë më tepër edukim që duhet të ndodhë. “Të dhënat nga sondazhi ishin mjaft shqetësuese se sa hapësirë ​​ka për përmirësim në edukimin e Gen Z për rreziqet e dritës ultravjollcë,” thotë ajo. "Ky boshllëk me të vërtetë duket se nuk është mbushur ende."

Pengesa më e madhe janë mediat sociale, sipas dr. Rogers dhe Jacqueline Watchmaker, një dermatologe në US Dermatology Partners. "Ekziston një valë keqinformimi që prek adoleshentët më të rinj dhe brezin Z," thotë dr. Watchmaker. "Padyshim që kam parë disa 20-vjeçarë që vijnë jo vetëm të nxirë, por edhe të kuq”

Dhe kur ajo përpiqet të flasë me ta për mbrojtjen nga dielli, ajo shpesh injorohet.

Si ndodh nxirja?

Dielli lëshon tre lloje rrezesh Ultravjollcë: UVA, UVB dhe UVC. UVA janë ato që nxijnë dhe plakin lëkurën tonë. ato lidhen me rastet e melanomës, forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës. UVB janë ato që shkaktojnë djegie në lëkurë dhe UVC ato që nuk e kalojnë atmosferën e Tokës. Solaret prodhojnë rreze UVA.

Tani, për 4 minuta mund të nxihesh në një solar, ndërsa dikur duhej më shumë se 25 minuta. Teknologjia e re mundëson emetimin e rrezeve më të forta, që sigurisht janë edhe më të rrezikshme. Nxirja që ne shikojmë tek një person në fakt, është thjesht melanina që ka prodhuar trupi në përgjigje të ADN-së së dëmtuar nga rrezet UV. “Të jesh e nxirë, do të thotë që jë dëmtuar nga dielli”, thotë dr. Rogers.

38% e të rinjve mendojnë se nëse ata nuk janë djegur nga dielli, por vetëm nxirë, ata janë të sigurt.

Përtej dëmtimit të dukshëm të lëkurës që ato shkaktojnë, ka shumë rreziqe të tjera shëndetësore që lidhen me solarët, duke filluar nga një sistem imunitar i dobësuar deri te kanceri i lëkurës.

Një rrezik i menjëhershëm është dëmtimi i syve, veçanërisht nëse nuk vihen syzet e duhura, thotë Dr. Sarnoff. Jo vetëm që rrezet UV mund të shkaktojnë kancer në sytë tuaj, por gjithashtu mund të merrni katarakt ose fotokeratit (a.k. verbëri nga bora, ose djegie nga dielli në korne).

Rrezet UVA janë të lidhura direkte me plakjen e parakohshme. Solarët shkaktojnë plakje, lëkurë të thatë, njolla kafe, quka dhe melasma.

Edhe përdorimi i solarit vetëm një herë, është njësoj i rrezikshëm. Lëkura juaj mban mend gjithçka! /WomensHealth


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë