Gazeta Si – Shpesh është mërzia prapa dëshirës së futbollistëve për të filluar vënien e basteve. Dhe zakonisht ndodh me bastvënësit legalë, duke u kërkuar miqve dhe shokëve që të kryejnë veprimet në vend të tyre për të evituar telashet.
“Fillimisht luajnë poker, pastaj kalojnë te tenisi, për të përfunduar te futbolli. Dhe këtu u afrohet dikush që u propozon të hapin një llogari në një sit të sigurt në pamje të parë (që i garanton për anonimatin edhe pse vënë bast personalisht)”, – shpjegon avokati Marçelo Prezila, përgjegjës i ‘Integrity’ për Italinë te ‘Sportradar AG’.

Prej vitesh ai takon sportistët italianë për t’i sensibilizuar në lidhje me bastet ilegale. “Futbolli i mëparshëm nuk ekziston më, tani futbollistët stërviten edhe nga pikëpamja e sjelljes. Kanë nëvojë për figura që t’u shpjegojnë se si mund të jetojnë në moshën 20-vjeçare me paga shumë të larta dhe ndaj ekspozimit mediatik. Në të kundërt, adrenalina e një basti mund të duket si një rrugëdalje”, – ka thënë eksperti për ‘La Gazzetta dello Sport’.
Prezila shpjegon si funksionon, zakonisht, mekanizmi që fut në telashe futbollistët. “Ka disa njerëz që quhen agjentë, që hiqen si miq të futbollistëve dhe i ftojnë të vënë baste në site ilegale, duke i garantuar për privatësi absolute, ndërsa më pas ka gjithmonë një letër, ose një një ‘file’ me emrat e debitorëve.
U japin ‘username’ dhe ‘password’ për t’u futur në site që në pamje të parë duken italianë, por pastaj nuk kanë vlerë legale në vendin tonë. Shpesh bastezhinjtë nuk duhet as të kenë një portofol, duke parë që agjentët afrojnë kredite të mira. Sapo ezaurohet buxheti, ata kërkojnë që të paguhet llogaria, që shkon deri në qindra mijëra euro”.

Nga fjalët e ekspertit kuptohet se agjenti është figura qendrore në këtë mekanizëm: “Fitojnë miliona euro në vit, sepse marrin përqindje nga paratë e vëna bast nga klientët e tyre. Madje, angazhojnë për llogari të tyre agjentë të tjerë, që fusin të tjerë bastvënës në lojë, duke e zgjeruar bazën dhe duke krijuar sistemin piramidal”.
Ka edhe një aspekt tjetër të problemit: “Në momentin që një futbollist i kërkon një krimineli të vërë bast në vend të tij, fillon të futet në unazën e parë të zinxhirit. Dhe nëse borxhet arrijnë një vlerë të caktuar, futbollistët kërcënohen për ndeshjet që luajnë: ‘ose do marrësh karton të kuq, ose…”.
Ka edhe një mesazh shprese në fund për futbollistët: “Gjithmonë mund të kthehesh prapa. Djemve u them se është e rëndësishme të denoncojnë ata që duan t’i fusin në lojën e basteve ilegale. Kush nuk bie në kurth, bën sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe eviton problemet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




