Trashëgimi

Merret vendimi, ish-godina e Radio Tiranës do të restaurohet

Ish-godina e Radio Tiranës do të restaurohet. Godina historike, që ka statusin monument kulture paraqet dëmtime të shumta, por pritet që t’i nënshtrohet një procesi restaurimi.

Lajmin e bëri me dije ministrja e Kulturës Elva Margariti, sipas së cilës projekti për restaurimin është miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.

“Një lajm i mirë për trashëgiminë kulturore! Ish-godina e Radio Tiranës do të restaurohet! Në mbledhjen e tij më të fundit, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi projektin për restaurimin e këtij objekti, monument kulture i kategorisë II”, thuhet nga ministrja Margariti në rrjete sociale, që ka ndarë dhe disa foto të godinës historike me projektin.

Për godinën historike herë pas here nuk kanë munguar dhe reagime të specialistëve të trashëgimisë kulturore në vendin tonë, që përballë gjendjes së saj shpreheshin se monumentet e kulturës duhet të restaurohen dhe jo të lihen deri në shkatërrim siç po ndodhte.

Tashmë ka një projekt të miratuar për restaurimin e saj, ndërsa ministrja Elva Margariti thotë se godina historike paraqet shumë dëmtime në elementët e saj.

“E ndërtuar midis viteve 1928-1930, ndërtesa e dikurshme e Radio Tiranës dhe më pas e Institutit të Kulturës Popullore është një nga vilat e para moderne në qytet. Aktualisht ajo paraqet dëmtime të shumta në çati, fasadë, dysheme, dyer, dritare, në elementë të brendshëm e të jashtëm”, shprehet ministrja Margariti.

Ndërhyrjet në godinën historike të ish-Radio Tiranës konsistojnë në restaurimin e çatisë dhe dyshemesë, fasadës, punime në oborrin e jashtëm, vendosjen e dyerve dhe dritareve të reja, pastrimin dhe lyerjen e kangjellave, plotësimin me sistem hidraulik e elektrik etj.

Fillimet e Radio Tiranës datojnë në 28 nëntor 1938.

Radiostacioni i parë shqiptar u hap nga Mbreti Zog I dhe Mbretëresha Geraldinë. Vazhdoi të transmetonte edhe gjatë pushtimit italian, por gjatë pushtimit gjerman, në 17 nëntor 1943, radioja ra në duart e pushtuesve. Në vitin 1948, periudhë e aleancës politike me Bashkimin Sovjetik, e gjithë vila u sekuestrua nga Bashkia e Tiranës. Pas konfiskimit godina vazhdoi të mbajë emrin “Radio Tirana” deri në vitin 1965, vit në të cilin radio u transferua në selinë e re të ndërtuar midis viteve 1962 dhe 1963.

Më pas në të u vendos Instituti i Kulturës Popullore. Pas zhvendosjes së tij, godina u braktis dhe u la në degradim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë