Ne rrjet

Merr zyrtarisht detyrën, cilat janë sfidat e kreut të ri të NATO-s Mark Rutte?

Nga Gazeta 'Si-Mark Rutte merr sot detyrën si kreu i ri i NATO-s. Në këto kohë plot sfida atij do t’i duhen të gjitha aftësitë diplomatike për të menaxhuar aleancën veriperëndimore. Por cila janë këto sfida?

Mark Rutte njoftoi në korrik 2023 se ka dha dorëheqjen si kryeministër i Holandës dhe “është tërhequr nga politika” pasi koalicioni i tij qeveritar u rrëzua nga pushteti për shkak të dallimeve mes partive në pushtet për politikën e emigracionit.

Megjithatë, në tetor të vitit të kaluar, Rutte me sa duket kishte harruar gjithçka që tha për largimin e tij nga politika dhe shprehu dëshirën për të pasuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili kishte njoftuar se do të largohej përfundimisht nga posti në fund të shtatorit të vitit 2024 pas një dekade në krye të aleancës.

Për muaj të tërë, Rutte zhvilloi një fushatë diskrete për të fituar mbi udhëheqësit e NATO-s, shumicën e të cilëve ai i njihte tashmë prej më shumë se 13 vitesh si kryeministër holandez dhe nga puna me organizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Historiani ishte kandidati i favorizuar i presidentit amerikan Joe Biden, si edhe i shumicës së liderëve evropianë.

Një diplomat tha se Rutte shihet si “Mr. No” në Bashkimin Evropian, sepse ai ka refuzuar planet dhe idetë ambicioze të reformës të paraqitura nga presidenti francez Emmanuel Macron. Megjithatë, Rutte ka raporte të mira me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Ai është gjithashtu në marrëdhënie të mira me kryeministren populiste të krahut të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni. Së bashku, Rutte dhe Meloni kanë sugjeruar përpunimin e kërkesave për azil jashtë BE-së në shtetet e palëve të treta.

Rezistenca e Hungarisë

Por fitorja ndaj kryeministrit nacionalist të krahut të djathtë të Hungarisë, Viktor Orban, me të cilin ai nuk është në marrëdhëniet më të mira, zgjati pak. Rutte duhej t’i premtonte Orbanit se Hungaria nuk duhet të marrë pjesë në aktivitetet që mbështesin Ukrainën, për sa kohë që Rutte drejton aleancën. Orban, i cili mban lidhje miqësore me Rusinë, ka përjashtuar edhe dërgesat e armëve në Ukrainë.

Politika liberale e Rutte dhe këndvështrimi joliberal i Orbanit shpesh i vendosin ata në mosmarrëveshje në marrëdhëniet e tyre brenda BE-së. Kur Hungaria miratoi një ligj kundër LGBTQ+ në 2021, Rutte i tha Orbanit se mund të largohet nga blloku nëse nuk pajtohet me politikat e tij.

Aftësia e famshme e Rutte për të përballuar vështirësitë politike i ka dhënë atij pseudonimin “Teflon Mark”, e kjo mund të jetë e dobishme nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe vendos të kritikojë prapë NATO-n. Pavarësisht nga kjo tendencë, Rutte dhe Trump zhvilluan raporte çuditërisht pozitive gjatë mandatit të parë të Trumpit si president i SHBA-së. Trump e quajti Rutte madje një “mik”. Por Rutte, si udhëheqës i një kombi historik tregtar, kundërshtoi ashpër politikën ekonomike proteksioniste të Trumpit.

Rutte mbështet armatosjen e Ukrainës

Ndryshe nga Trump, Rutte është një mbështetës i vendosur i Ukrainës dhe ka kërkuar dërgesa të mëdha të armëve në Kiev, duke përfshirë obuset holandeze dhe F-16. Por vetë ushtria holandeze nuk ishte e financuar sa duhet gjatë viteve të pushtetit të Rutte. Ky vit do të jetë hera e parë që Holanda do të shpenzojë 2% të PB-së së saj në mbrojtje, në përputhje me objektivat e shpenzimeve të NATO-s.

Rutte ka qenë prej kohësh kritik ndaj presidentit rus Vladimir Putin, jo vetëm sepse Rusia shihet gjerësisht si pjesërisht përgjegjëse për rrëzimin e avionit MH-17 mbi Ukrainën lindore në vitin 2014. Pothuajse 300 njerëz, shumica prej të cilëve shtetas holandezë, vdiqën kur avioni i Malaysia Airlines, që udhëtonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur, u rrëzua. Hetuesit ndërkombëtarë arritën në përfundimin se raketa që goditi avionin ishte e prodhuar në Rusi dhe ishte lëshuar nga territori i pushtuar nga separatistët në Ukrainën lindore.

Krijimi i konsensusit

Rutte ka përvojë në menaxhimin e koalicioneve në Holandë, por tani ai ka 32 vende që duhet të koordinojë dhe me të cilat duhet të arrijë konsensus për të gjitha vendimet e NATO-s. Ish-zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, personi më jetëgjatë në këtë rol, beson se kjo do të jetë sfida më e madhe e Rutte. “Sekretari i Përgjithshme i NATO-s nuk duhet të jetë vetëm sekretar, por edhe gjeneral, në aspektin politik natyrisht”, tha ajo.

“Ai duhet të tregojë udhëheqjen politike të nevojshme për të shtyrë përpara aleancën, sepse arritja e konsensusit mund të marrë kohë. Mund të ketë probleme, mund të jetë zhgënjyese, por është e rëndësishme të arrihet përparim në marrjen e vendimeve.” Ajo thekson se përvoja e gjatë e Rutte në mbajtjen së bashku të qeverive të koalicionit holandez të përçarë do t’i shërbejë atij për të ecur përpara.

Lungesku vëren se të qenit shef i NATO-s do të thotë t’i nënshtrohesh edhe disa nevojave të pashmangshme të pozicionit dhe profilit të lartë, që do të thotë se Rutte nuk mund të shkojë më në punë me biçikletë dhe duhet të ndryshojë sjelljet. DW


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë