Isa Mustafa do të jetë sërish Kryetari i Partisë Lidhja Demokratike e Kosovës. Si i vetmi kandidat për kryesimin e kësaj partie në katër vitet e ardhshme, Mustafa mori mbështetjen e të gjithë delegatëve në kongresin që po mbahet sot në Prishtinë.
Kandidati i vetëm që mund ta rrezikonte në këtë garë për kreun e partisë, ish Presidenti Fatmir Sejdiu nuk ka mundur dot të mbledhë numrin e nevojshëm të firmave dhe rrjedhimisht Isa Mustafën e ka pasur rrugën e hapur. Vlen të theksohet se në momentin e votimit nuk ka pasur prani të medias.
Me këtë rizgjedhje në krye të LDK-së, Mustafa bëhet kryetari më jetëgjatë i kësaj partie që nga koha e themeluesit të saj, Ibrahim Rugova.
Procesi është kundërshtuar nga Fatmir Sejdiu i cili ka pasur edhe disa akuza të forta në drejtim të Mustafës. Pas fjalës së tij para delegatëve të LDK-së Sejdiu është shprehur se kjo parti nuk mund të ecë përpara në këtë mënyrë ai se e ka lëshuar Kuvendin Zgjedhor.
“Unë them se me këtë mënyrë të punës, me këto ngecje, me këtë mënyrë të mungesës së guximit të njerëzve që nuk kanë mundësi për fjalën e lirë, unë nuk i mbështes. Këtë e kemi një shenjë të keqe. Kam provuar ditëve të fundit që të kem kontakte me kryetarin e partisë, nënkryetarët rreth çështjes për kryetarin kondensual. Unë kam tentuar që të kem përgjigje, por nuk e kam marrë një të tillë”, ka deklaruar Sejdiu për mediet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.