Futboll

Merr fund telenovela e sponsorëve, Haland rinovon me Nike për 23 mln euro në sezon

Gazeta Si – Verën e kaluar, me njoftimin e Mançester Sitit për akordin me Borusia Dortmund, telenovela Haland përfundoi para se të fillonte. Klauzola e prishjes së kontratës në verën e 2022-shit ishte e ditur, çështja ishte ku do shkonte norvegjezi.

Fatin e pati Pep Guardiola, që nisi sulmin e radhës për Championsin me një ‘armë’ më shumë në sulm. Erling Haland po thyen të gjitha rekordet në Premier Ligë që në sezonin e parë me fanellën e Mançester Sitit.

Erling Haland. Gazeta Si, 28 shkurt 2023

Në fakt, lufta me aromën e eurove për Haland nuk kishte përfunduar akoma. Sipas ‘The Athletic’, tashmë është më e qartë edhe cështja e këpucëve që do të veshë në të ardhmen norvegjezi. Haland kishte një kontratë me ‘Nike’, me 1 milion euro në sezon, që përfundoi pak kohë më parë. Logjikisht, kishin mbetur të hapura të gjitha opsionet për të ardhmen.

Firmat e mëdha donin me çdo kusht ta kishin si imazh. Një risk i madh, po të kemi parasysh se si përfundoi kjo çështje. Me një rinovim me kompaninë amerikane me një shifër stratosferike. Sipas gazetës britanike, nga akordi i ri sulmuesi do të përfitojë 23 milionë euro në sezon.

Një trajtim big për norvegjezin, duke marrë në konsideratë faktin se bëhet fjalë për shifra më të larta se ato të Kristiano Ronaldos, Mbapesë (Nike edhe ata) Mesit (Adidas), dhe afër Nejmarit, që përfiton 25 milionë euro nga Puma.

Në fund ‘luftën’ mes kompanive e fitoi Nike, por fituesi i vërtetë është Haland, që tani do të përfitojë 20 herë më shumë se më parë. Dhe nëse shtohen edhe 50 milionë euro nga paga që merr te Mançester Siti, të thuash se norvegjezi ka bërë bingo…është pak!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë