Sociale

Merr fund odiseja e emigrantëve shqiptarë, në kufirin me Greqinë rikthehet normaliteti

Odiseja disa ditore e mijëra emigrantëve shqiptarë të bllokuar në Kapshticë dhe Kakavijë u mbyll rreth mesnatës së të dielës dhe të hënës. Në doganën e Kapshticës, situata u normalizua që në orët e pasdites së të dielës, ndërsa në Kakavijë vargu i automjeteve vijoi edhe përtej orës 22:00, të vendosur nga pala greke si orar kur do të ndalonte punën.

Rreth kësaj ore në Kakavijë vargu i radhës ishte reduktuar nga 5 kilometra që ishte gjatë ditës në vetëm disa qindra metra. Autoritetet greke vendosën që të punojnë përtej këtij orari për të kaluar edhe ata pak persona që prisnin ende përtej traut të kufirit, duke eleminuar radhët dhe rikthyer normalitetin edhe në këtë pikë të kalimit kufitar mes dy vendeve.

Pala greke e nisi me ritme të ngadalta punën në të dyja pikat doganore këtë të diel. Për këtë u fajësua testi anti-Covid 19 që kërkohet me ngulm në bazë të rregullores së re të miratuar nga Qeveria greke.

Kjo shkaktoi radhë dhe nervozizëm të qytetarëve shqiptarë, sidomos në Kakavijë, ku situata paraqitej më e tensionuar. Këtu, policia shqiptare u përpoq që të kthente mbrapsht emigrantët që prisnin në radhë, por përpjekja hasi në rezistencën dhe vendosmërinë e tyre për t’u larguar në drejtim të Greqisë.

Shumë prej emigrantëve prisnin në radhë prej të paktën tre ditësh. Të kontaktuar nga gazeta “Si”, një pjesë e tyre thanë se ishin rikthyer në Shqipëri kryesisht për të rinovuar pasaportat dhe kartat e identitetit, si dhe për t’u takuar me familjarët që jetojnë këtej. Por, ata thanë se nëse nuk riktheheshin në Greqi para datës 17 gusht, rrezikonin që të humbisnin vendet e punës atje.

Përballë këmbënguljes së emigrantëve autoritetet shqiptare vazhduan negociatat me palën greke për të parë mundësinë e lehtësimit dhe përshpejtimit të procedurave të kalimit kufitar. Mes lehtësive të vendosura ishte zgjatja e orarit deri në 22:00 të së dielës dhe testi anti-Covid vetëm për një person në familje.

Këto ndryshime rritën ndjeshëm numrin e atyre që merrnin vulën për të kaluar kufirin dhe reduktoi me shpejtësi vargun e automjeteve që priste në radhë si në Kapshticë, ashtu edhe në Kakavijë, deri kur situata shkoi drejt normalizimit rreth mesnatës.

Ndërkohë, duke filluar nga ora 06:00 e së hënës, në Greqi hyn në fuqi regjimi i ri i hyrjes për shtetasit shqiptarë, sipas të cilit në Kapshticë do të kalojnë vetëm 300 persona, ndërsa në Kakavijë vetëm 750 të tjerë.

Ky regjim duhej të ishe zbatuar që këtë të diel, por për shkak të situatës së krijuar, aplikimi i tij u shty për të hënën, duke shtuar thirrjet e policisë dhe autoriteteve shqiptare për të mos udhëtuar në drejtim të Greqisë këto ditë dhe të kihet parasysh rregullorja e re, që mes të tjerave kërkon edhe një test anti-Covid nga ISHP, ose nga një laborator i certifikuar shtetëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë