Ne rrjet

Merr fund “ëndrra” e pasaportës bullgare për shqiptarët?

Pasaporta bullgare është kthyer tashmë në shpresën më të madhe të shqiptarëve, për t’u bërë qytetarë europainë. Mijëra shqiptarë kanë blerë në rrugë të jashtëligjshme pasaporta bullgare dhe udhëtojnë sot lirshëm nëpër Europë. Nënshtetësia bullgare u mundëson atyre qëndrimin në vende të ndryshme të Bashkimit Europian dhe në Angli si dhe lehtësira të shumta në shkollimin e fëmijëve.

Por prokurorët bullgarë kanë shkatërruar ditën e sotme një skemë korruptive të drejtuar nga zyrtarë shtetërorë, të cilët u kishin mundësuar mijërave të huaj, mes tyre edhe qytetarëve shqiptare, të pajiseshin me pasaporta bullgare në këmbim të parave.

Skema dyshohet se përfshinte punonjës të Agjencisë Shtetërore për Bullgarët jashtë Vendit, të cilët janë akuzuar për pranimin e ryshfetit dhe lëshimin e certifikatave të rreme me origjinë bullgare, një dokument në bazë me anë të së cilit mund të jepet nënshtetësia bullgare dhe dokumentet e identitetit. Kjo agjenci deklaroi disa muaj më parë se një sërë banorësh nga Prespa, Gollobërda dhe Gora janë bullgarë dhe se janë vendosur në Shqipëri në shekullin V. Organizatat bullgare në Shqipëri thonë se ka rreth 100 mijë bullgarë, dhe Parlamenti Europian i bëri kërkesë Tiranës t’i njohë ligjërisht në praktikë të drejtat e kësaj pakice.

Pasaportat bullgare 

Por prokurorët bullagarë thanë në një deklaratë për shtyp të hënën se kishin nisur një hetim mbi punën e agjencisë për disa akuza, të cilat përfshinin ngritjen e një grupi të organizuar kriminal, marrjen e ryshfetit, falsifikimin e dokumenteve dhe shpërdorimin e detyrës.

Mediat bullgare shkruajnë se kreu i agjencisë, Petar Haralampiev, ishte arrestuar gjatë operacionit së bashku me më shumë se 20 njerëz zyrtarë të tjerë. Ata kishin pajisur me pasaporta aplikantë nga Ukraina, Moldavia dhe Maqedonia dhe Shqipëria. Prokurorët thonë se aplikantët paguanin deri në 5,000 euro për të marrë një certifikatë të rreme me origjinë bullgare. Mijëra njerëz thuhet se kanë përfituar nga skema ndërkohë që mediat bullgare shkruajnë se agjencia lëshonte rreth 30 certifikata të rreme në javë.

Shifrat e Ministrisë bullgare së Drejtësisë tregojnë se numri qytetarëve të pajisur me pasaportë bullgare gjatë dhjetë viteve të fundit arrinte në më shumë se 115,000, shumica e të cilëve besohet të jenë bullgarë etnikë nga vendet fqinje. Të huajt që marrin shtetësinë bullgare rrallë vendosen në vend. Në vend të kësaj, shumica dërrmuese e tyre e përdorin pasaportën bullgare për të jetuar dhe punuar në vendet më të pasura të BE.

Sipas zyrtarëve europiane shpesh rezulton se të pajisur me dokumente bullgare nuk flasin bullgarisht.

Sofje, Bullgari 

Katia Mateva, ish-kryetarja e departamentit të shtetësisë bullgare në ministrinë e drejtësisë tha në mars se kishte anuluar rreth 60 aplikime për pasaportë bullgare, pasi Interpoli njoftoi autoritetet dhënia e këtyre "vizave të arta" do të hapte dyert për kriminelët. Sipas të dhënave të Interpolit, mes atyre që blejnë pasaporta janë edhe persona me të shkuar kriminale. Pjesë e këtij grupi janë edhe shqiptarë me një të shkuar të errët, të cilat sipas raporteve të mediave duhet të paguajnë më shumë para se ata persona që rezultojnë pa precedentë të mëparshëm penal.

Duke paraqitur raportin e tij të fundit në Asamblenë Kombëtare në tetor 2017, Dragomir Dimitrov, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës, bëri një paralajmërim brutal duke thënë se përhapja e dokumenteve të rreme me identitetit bullgar, skemat mashtruese për marrjen e shtetësisë janë kërcënime serioze për sigurinë e Bullgarisë”.

Sipas ligjit, aplikantët mjafton që të mos jenë nën moshë, të mos jenë dënuar në Bullgari dhe të bëjnë një deklaratë të thjeshtë në Agjencinë Shtetërore për Bullgarët Jashtë Vendit të “ndjenjës së përkatësisë në kombit bullgar ” për të marrë pastaj kombësinë. Në vitin 2013, Kryetari i Agjencisë Shtetërore për Bullgarët Jashtë Vendit pranoi me shkrim “se nuk ka asnjë procedurë për të kontrolluar certifikatat” e lëshuar nga agjencia e tij.

Trebisht 

Në Sofje, avokatët jepnin lehtësisht certifikata e që i përkasin kombit bullgar më këmbim të ryshfetit. Shuma varionte midis 500 dhe 3,000 euro. Megjithatë, kandidatët me një të kaluar kriminale do të paguanin shuma më të mëdha. Madje mediat bullgare shkruajnë se kohët e fundit vetëm ata që paguanin ryshfet ishin pajisur me pasaportë. Sipas tyre disa aplikantët që plotësonin kriteret, në veçanti sepse kishin një paraardhës bullgar, u është refuzuar kërkesa për shtetësi për shkak se nuk kanë pranuar t’u japinm ryshfet autoriteteve.

Pasaportat bullgare “zbrazin” fshatrat shqipatre

Skandali i pajisjes në mënyrë të paligjshme me pasaportat bullgare të qytetarëve shqiptarë u vu në qendër të vëmendjes së mediave në Tiranë rreth dy vite më parë. Banorë nga Trebishta, një fshat verilindje të Shqipërisë, i cili dikur kishte 6 mijë banorë kanë treguar për AFP më shumë se gjysma e banorëve kanë ikur në perëndim me një pasaportë bullgare.

Trebishti në është kthyer tanimë në një fshat fantazmë, si shumë nga fshatrat e rreth Prespës, Gollobordës dhe Gorës. Nëntë fshatrat e kësaj zone popullohen nga banorë që kanë trashëguar gjuhën sllave të ngjashme me atë maqedonase, e që mendohet se ndodhen aty që mes shekujve XI dhe XIII.

Gorë

Bullgaria dhe Shqipëria nuk ndajnë një kufi. Dhe Shqipëria, vend jo anëtar në BE, nuk i përfshin bullgarët midis bashkësive të njohura etnike. Sipas “AFP”, një dëshmi për origjinën gollobordase, bashkë me kartën e anëtarësisë së shoqatës u kushton shqiptarëve 150 euro. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe banorët e rajonit të Prespës, të cilët masivisht janë duke u pajisur me pasaporta bullgare.

“Përgjatë dy dekadave të tranzicionit, ky komunitet është tunduar shpesh nga ofertat për nënshtetësi ballkanase. Në vitet ‘90 erdhën serbët që u munduan ta përgatisin Gorën si minoritet të tyren në Shqipëri. Më pas, edhe maqedonasit synuan një gjë të ngjashme, shkruan AFP. “Të tretët ishin bullgarët, të cilët ndryshe nga dy pretendentët e parë ia dolën të shkaktonin valën më të madhe të emigrimit dhe zbrazjen e zonës nga banorët e saj. “

Në fillim të vitit 2017, fshatrat e Shishtavecit dhe Zapodit u vendosën në fokusin e medias për të ilustruar fluksin e lartë të largimeve nga Shqipëria dhe kërkesave për azil në vendet e BE-së. Në të vërtetë, banorët e këtyre fshatrave përdorën pasaportat e reja bullgare për të nisur një jetë të re në Perëndim, shumë herë më të favorizuar se mijëra shqiptarë që përfunduan në kampet e refugjatëve.

Burimet: "Euroactiv", "AFP" 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë