Gazeta Si – “E pyeta George Papandreun: ‘Çfarë do?’ Dhe ai u përgjigj: ‘Nuk dua asgjë.’ Më shihnin si vajzën e keqe që nuk donte t’i jepte paratë”.
Angela Merkel është gjithmonë e mirëpritur në Greqi, por Gjermania fillimisht e trajtoi rastin grek si një shembull për të ndëshkuar, në vend që të ishte një mundësi për të filluar së bashku reforma autentike ekonomike që ishin përparësi e qeverisë sonë”.
“Koha është një iluzion”, tha Ajnshtajni. Dhe Angela Merkel e George Papandreu ishin aty për ta vërtetuar këtë.
Ish-kancelarja gjermane është rikthyer në “skenën e krimit”, 15 vjet pas krizës dramatike financiare që e gjunjëzoi Greqinë dhe që përsëri në vitin 2015 rrezikoi të hidhte në erë Eurozonën.
Duke mos qenë asnjëherë njeriu që bën “scoop”-e, Merkel i ka mbetur përsëri besnike karakterit të saj.
Ekziston një kokëfortësi metodike, pothuajse karteziane në mënyrën se si ish-kancelarja mbron të gjitha zgjedhjet e saj politike, pa i dhënë asgjë dyshimit apo pendimit, qoftë kjo për krizën greke, Putinin, gazin rus apo refugjatët.
E intervistuar nga Alexis Papahelas, drejtor i gazetës së përditshme “Kathimerini”, Merkel pohoi se nuk e kishte imagjinuar kurrë që “partnerët grekë do të përballeshin me një krizë kaq dramatike”.
Në shkurt të vitit 2010, kur problemi u shfaq në gjithë seriozitetin e tij, “unë evokova klauzolën e mos-shpëtimit në euro dhe nuk mund të bëja ndryshe”.
“Kam studiuar fizikë”, u justifikua ajo, “unë i di numrat dhe e dija që disa milionë nuk ishin të mjaftueshme. Më duhej të kisha bazën ligjore për të mbështetur programin para Bundestagut”.
Pastaj ajo foli për “parregullsi” dhe pranoi, ndoshta duke aluduar në banka, se kishte edhe “nga ana e kompanive gjermane”.
“Shumë herë”, shpjegoi ajo, “unë luajta rolin e policit të keq, por në Greqi ata duhej të ktheheshin në një ekonomi të ekuilibruar. E di që kjo ishte e dhimbshme, por shteti duhej të kishte të ardhura tatimore. Ne gjithashtu e dinim se situata duhej të qetësohej dhe kjo është arsyeja pse unë isha në favor të uljes së borxhit, edhe nëse më quanin të çmendur”.
Megjithatë, Merkel e kundërshtoi veten në një pikë thelbësore. Në fakt, një pyetjeje nga intervistuesi, ajo iu përgjigj se “në vitin 2011, na u desh të bënim gjithçka që ishte e mundur: nëse Greqia duhet të mbetej në eurozonë apo jo, u takonte qytetarëve grekë ta thoshin”.
Megjithatë, menjëherë më pas, ajo pranoi se ishte “kundër propozimit të Papandreut për të thirrur një referendum”, një veprim që përfundoi duke shkaktuar rrëzimin e kryeministrit grek: “Ne nuk do ta kishim ditur si ta menaxhonim daljen e Greqisë dhe fakti që e refuzuam, doli të ishte vendimi më i mirë i mundshëm”, tha ish-udhëheqësja gjermane, pavarësisht se çfarë donin vërtet grekët.
Katër vjet më vonë, megjithatë, në vitin 2015, kur kryeministri populist Alexis Tsipras i njoftoi në mënyrë të papritur referendumin, Merkel nuk kundërshtoi: “Mbeta pa fjalë kur ai më tha se do të sugjeronte të votohej kundër: nëse do të kishte mbizotëruar, do të kishte nënkuptuar daljen e Greqisë nga euro”.
Jo-të fituan, por siç e dimë, “Grexit” nuk ndodhi. Në fakt, Tsipras negocioi përhershmërinë, megjithëse me një çmim shumë të lartë, gjë që i lejoi Merkelit, me mbështetjen e francezit Hollande dhe Matteo Renzit, e të bllokonte përpjekjen e ministrit të saj të Financave, Schäuble, për të nxjerrë Athinën jashtë.
George Papandreu, në lidhje me këtë çështje, theksoi se “Evropa nuk e kuptoi natyrën e thellë dhe sistemike të krizës, i bindur se konsolidimi fiskal do të ishte i mjaftueshëm për të rivendosur besimin”.
Dhe ai kujton se që në vitin 2010, pasi demaskoi mashtrimin e qeverisë konservatore në llogaritë publike, ekzekutivi i tij e kishte ulur deficitin nga 15.5% në 10.5% të PBB-së, por “tregjet mbetën të kujdesshme, sepse problemi nuk ishte vetëm i Athinës”. Kështu, Greqia, sipas ish-kryeministrit, “u bë kurbani i lehtë, sepse ishte hallka më e dobët”.
Politikat e trojkës “goditën qytetarët e zakonshëm, në vend që të adresonin probleme më të thella strukturore”.
Për Papandreun, mësimi që duhet nxjerrë nga ajo krizë, është se “forca e vërtetë e Evropës qëndron në solidaritet”, i cili është edhe më i rëndësishëm sot përballë sfidave ekzistenciale që kërcënojnë shpërbërjen e saj.
Megjithatë, për një gjë, duelistët e lashtë bien dakord: ishte Mario Draghi, duke vepruar në mënyrë të pavarur, ai që qetësoi tregjet dhe shpëtoi euron me bazukën e BQE-së.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.