Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë reaguar ashpër të premten për vendimin e Rusisë për të dëbuar një sërë diplomatësh nga Suedia, Gjermania dhe Polonia për pjesëmarrjen e tyre në protestat kundër burgosjes së kritikut të Kremlinit Alexei Navalny.
Duke folur në Paris dhe Berlin pas një takimi virtual mbi politikën e sigurisë dhe bashkëpunimin, Macron dhe Merkel së bashku kritikuan Presidentin rus Vladimir Putin për persekutimin e Navalny.
Reagimi erdhi pasi Rusia dëboi tre diplomatë nga Gjermania, Polonia dhe Suedia, pak pasi shefi i punëve të jashtme të BE Josep Borrell u takua me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov në Moskë. Një deklaratë nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm tha se Borrell u informua për dëbimin “gjatë” takimit..
Borrell ishte duke qëndruar pranë Lavrov kur ministri rus e quajti BE një “partner jo të besueshëm” dhe akuzoi liderët evropianë se kanë gënjyer për helmimin e Navalny.
“Unë dënoj në termat më të fortë, nga fillimi në fund, atë që ka ndodhur, nga helmimi Navalny deri tek dëbimin e diplomatëve. Unë mendoj se tensionet diplomatike nuk mund të zgjidhen në këtë mënyrë dhe unë ofroj solidaritetin tim me tre vendet diplomatët e të cilëve janë dëbuar “, tha Macron, duke shtuar se dialogu me Moskën ishte ende i rëndësishëm për “paqen, sigurinë dhe stabilitetin” në Europë.
“Unë pajtohem me presidenin francez”, tha Merkel. “Ne e konsiderojmë atë që ndodhi me Navalny si shkelje të sundimit të ligjit. Ne dënojmë burgimin e tij dhe tani gjithashtu dëbimin e diplomatëve nga Gjermania, Polonia dhe Suedia”.
“Ne gjithashtu … rezervojmë të drejtën për të vazhduar sanksionet kundër Rusisë, veçanërisht kundër zyrtarëve të caktuar,” shtoi Merkel.
Sidoqoftë, e pyetur nëse lëvizjet e fundit të Putinit do të cënonin gazjellësin Nord Stream 2 që është kritikuar nga një sërë aleatësh të Gjermanisë duke përfshirë SHBA-në dhe Francën, Merkel tha se pozicioni i qeverisë së saj mbetet i pandryshuar për momentin.
“Por ne ndajmë mendimin se nuk duhet të bëhemi të varur në mënyrë të njëanshme nga Rusia,” tha kancelarja.
“Unë besoj se asgjë nuk mund të thuhet për Nord Stream 2, i cili tani është pothuajse i plotë, pa një koordinim shumë të ngushtë midis Gjermanisë dhe Francës” tha nga ana tjetër Macron.
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas gjithashtu dënoi dëbimet e diplomatëve, duke thënë se vendimi “dëmton më tej marrëdhëniet me Europën”. Sipas tij, duke marrë pjesë në protestë diplomati gjerman i dëbuar “ishte thjesht duke përmbushur detyrën e tij sipas Konventës së Vjenës.
“Nëse Federata Ruse nuk e rishikon këtë hap, ai nuk do të mbetet pa përgjigje,” shtoi ai.
Ministria e jashtme e Polonisë lëshoi gjithashtu një deklaratë, duke thënë se diplomati i tyre po protestonte “kundër korrupsionit në Federatën Ruse dhe duke shprehur mbështetje për Alexei Navalny” dhe “do të ndërmarrë hapat e duhur” nëse vendimi nuk ndryshohet. /Politico.Eu/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.