Futboll

Merkato, Kukësi firmos me një mbrojtës të kombëtares lituaneze

Merkatoja e dimrit ka pasur pak lëvizje deri tani. Gjithsesi, klubet e Superiores nuk janë dorëzuar dhe sot ishte Kukësi që zyrtarizoi afrimin e një futbollisti të huaj. Ai është Rolandas Baravykas, mbrojtës i krahut të djathtë që është pjesë e kombëtares së Lituanisë.

“Rolandas Baravykas është zyrtarisht futbollist i Kukësit, Mbrojtësi lituanez ka firmosur kontratën me klubin tonë deri në verën e vitit 2022. Baravykas është futbollist i kombëtares lituaneze, ku është aktivizuar në 20 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Ai ishte në “Air Albania” në ndeshjen që kombëtarja shqiptare luajti ndaj Lituanisë, por për arsye shëndetësore nuk u aktivizua”, – shkruan klubi kuksian në njoftimin zyrtar për afrimin e këtij lojtari.

Baravykas prezantohet te Kukësi. Gazeta Si, 22 janar 2021

Kukësi përforcon kështu krahun e djathtë të mbrojtjes, por nuk e ka mbyllur merkaton. Baravykas është një lojtar me përvojë. Në vendin e tij ka luajtur me ekipet Atlantas dhe Zalgiris, ndërkohë që sezonin e fundit ishte pjesë e qipriotëve të Nea Salamis.

Dy ditë më parë ishte Tirana që firmosi me një sulmues që luan me kombëtaren e Finlandës. Tani do të jetë fusha që do të tregojë se sa cilësi do t’i japin këta lojtarë skuadrës së tyre të re dhe kampionatit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë