Merkato italiane në këtë dimër po duket më e qetë se herët e tjera. Kanë kaluar katër ditë dhe ende mungojnë afrimet e para në ekipet kryesore të Serisë A. Vetëm Milan ka zyrtarizuar afrimin e Pakuetas, por ky nuk mund të quhet një blerje janari, pasi akordi me brazilianin ishte arritur që në muajin nëntor të vitit të shkuar. Megjithatë në këto ditë mediet italiane shkruajnë se lëvizjet e para të ekipeve kryesore të janë duke u konkretizuar.

Juventus shumë pranë Aron Ramsej
Ajo që duket se do të bëjë goditjen e parë në këtë merkato është Juventus. Bardhezinjtë janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes me mesfushorin e Arsenalit, Aron Ramsej. Kontaktet mes drejtuesve bardhezinj dhe agjentëve të lojtarit kanë nisur prej ditësh dhe tashmë mësohet se palët janë shumë pranë hedhjes së firmës. Ramsej luan prej 10 sezonesh me Arsenalin dhe pritet të jetë një vlerë e shtuar në mesfushën e Juventus. Uellsiani luan shumë fizikisht dhe është i që duhet në këto momente në mesfushën e kampionëve të Italisë që mund të mbështeten në forcën dhe eksperiencën e tij si në kampionat edhe në Champions. Te Juventus po përflitet edhe për një rikthim të Marko Pjacës pas dëmtimit të Kuadrado, por kjo pistë është shumë e vështirë për t’u konkretizuar, pasi kroati është në formë shumë të mirë te Fiorentina.

Inter gjen akordin me Diego Godin
Edhe Inter është duke lëvizur në këtë merkato megjithëse duhet thënë se me hapa shumë të kujdesshëm. Pas De Vrij që u afrua në verë me parametra zero, Inter po mendon një tjetër afrim në me të njëjtën taktikë. Këtë herë bëhet fjalë për mbrojtësin uruguaian me shumë eksperiencë, Diego Godin. 32-vjeçari është pjesë e Atletiko Madrid prej 8 vitesh, por nuk e ka gjetur gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës dhe pritet që të largohet. Uruguaiani në fund të këtij sezoni mbyll kontratën dhe duke filluar nga ky muaj mund të negociojë me çdo ekip. Duke përfituar nga kjo situatë ka përfituar Inter që e ka arritur akordin dhe në ditët e ardhshme ai mund të firmosë një parakontratë. Inter është në tratativa të avancuara edhe me talentin danez Kristiansen. Mbrojtësi shtatlartë luan me Samdorian, ku ka spikatur dhe Inter kërkon që të përsërisë rastin Skrinjar, i cili ka rezultuar shumë i suksesshëm.

Milan më shumë ëndrra se sa objektiva
Te Milan po mendojnë për shumë emra, por konkretisht akoma nuk ka asgjë. Përveç Pakuetas ende nuk janë hedhur hapa konkret për emrat e tjerë. Në fillim u fol për një interesim për Cesk Fabregas, por spanjolli duket ende shumë larg. Çelësi nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e Fabregas këtë dimër, pasi i druhet ndonjë dëmtimi në javët e ardhshme. Gjithashtu edhe lajmet që qarkulluan ditët e fundit për belgun Karrasko ende nuk kanë gjetur konfirmime. Atletiko nuk e lëshon mesfushorin pa të paktën 40 milionë euro. Shifra është shumë e lartë për Milanin që nuk mund të guxojë të shpenzojë një shifër të tillë këtë merkato. Kuqezinjtë do të tentojnë të bindin spanjollët për një huazim me të drejtë blerje me këste, por sërish tratativa premton të jetë shumë e gjatë. Milan humbi dhe duelin me Inter për Diego Godin, pasi zikaltërit u treguan më konkret në ofertën për mbrojtësin uruguaian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




