Futboll

Merkato/ Interi gati të rikthejë Sançez, Mançester Junajtid ofertë për Verratin

Gazeta Si – Merkatoja e verës është në fundin e saj, me klubet e mëdha që kërkojnë të kompletojnë skuadrën. Interi po punon në dy pista për përforcimin e mbrojtjes dhe të sulmit. Për mbrojtjen ka rritje të besimit te zikaltrit në lidhje me afrimin e Benzhamin Pavard nga Bajerni.

Për sulmin e Interit duhet theksuar se Korrea ka prekur fundin, duke parë edhe zgjedhjet e trajnerit Simone Inzagi para nisjes së kampionatit. Nëse argjentinasi largohet, me shumë mundësi në formë huazimi, klubi kërkon që të rikthejë në Milano Aleksis Sançez, kilenin që aktualisht luan në Francë.

Marko Verrati kerkohet nga Mançester Junajtid. Gazeta Si, 21 gusht 2023

Një nga të rejat më të rëndësishme të merkatos europiane ka të bëjë me mesfushorin italian Marko Verrati. Për të është futur fort në garë Mançester Junajtid, duke ditur situatën që ai po kalon aktualisht te PSG.

Sipas ‘L’Equipe’, Mançesteri duket se ka hequr dorë nga pista Amrabat dhe ka gati ofertën zyrtare për klubin parisien. PSG në fakt nuk e ka pranuar ende ofertën e Al-Ahli për mesfushorin italian. Tani mbetet të shihet vendimi i klubit francez dhe vetë futbollistit, nëse do të zgjedhë Arabinë apo një klub prestigjioz si Mançester Junajtid.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë