Partizani ka filluar fuqishëm këtë merkato dimri. Ditën e premte “të kuqtë” zyrtarizuan akordet me dy mesfushorët, Hyseni dhe Isufaj. Por këto dy mesfushorë nuk pritet të jenë afrimet e vetme për kryeqytetasit, të cilët po punojnë edhe për dy afrime të tjera. Bëhet fjalë për një sulmues që kërkohet me kohë nga trajneri Skënder Gega dhe një mbrojtës. Në fillim për të kaluar te Partizani u përfol kalimi i sulmuesit Vasil Shkurtaj, por ky i fundit zgjodhi kalimin te Kukësi dhe tashmë “të kuqtë” do duhet të mendojnë për të një tjetër alternativë.

Në fakt Partizani ka menduar për ta përforcuar sulmin me afrime nga jashtë vendit. Bëhet fjalë për afrikanin Kuame Karikari që për momentin është pa një ekip. Sulmuesi nga Gana ka një karrierë të pasur, pasi më herët ka luajtur për ekipe me peshë si AIK, Balikesirspor apo edhe Nefçi Baku. Futbolisti afrikan është pa ekip, por edhe shumë i shtrenjtë dhe mbetet për t’u parë nëse Partizani do të guxojë të bëjë një investim të tillë në këtë kohë.

Sakaq edhe në repartin e mbrojtjes Partizani po mendon për të disa alternativa. Pas Idrizajt që duket një pistë e sfumuar, emri i radhës që po qarkullon për t’u afruar te Partizani është holandezi, Ruben Ligeon. 26 vjeç, Ligeon ka luajtur në karrierën e tij në kampionatin holandez, ku spikat aktivizimi për disa sezone me Ajaksin. Aktualisht ai është pjesë e ekipit të Zuolle në Superligën e Holandës edhe pse ka luajtur shumë pak minuta gjatë fazës së parë të sezonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




