Futboll

Merkato e nxehtë, ekipet e Serisë A kërkojnë emra të bujshëm

Me gjysmën e kampionateve dhe kompeticioneve të tjera të mbyllura, muaji janar është një periudhë e mirë për të bërë disa rregullime të vogla. Sigurisht nuk mund të bëhen krahasime me merkaton e muajve të verës, por në këtë ndërprerje dimërore mund të bëhen disa blerje riparuese. Pothuaj të gjitha ekipet e mëdha europiane janë duke planifikuar disa blerje në këtë merkato për të mbushur ato hapësira boshe në skuadrat e tyre. Më aktive në këto javë sa i përket tratativave duken ekipet italiane dhe ato spanjolle, ndërsa skuadrat në kampionatet e tjera më shumë janë të interesuara në largim lojtarësh.

Merkato e ekipeve të Serie A

Inter dhe Milan duken dy skuadrat që do të mundohen të bëjnë goditjet më të bujshme në këtë merkato sa i përket ekipeve italiane edhe pse Roma gjithashtu ka disa objektiva të rëndësishëm. Dy ekipet milaneze ndërhyrjet më emergjente janë duke i menduar për repartin e mesfushës. Milan ka në plan të marrë nga Çelësi, spanjollin Cesk Fabregas, por edhe Barela me Ciao janë dy emra që ndodhen në listën e drejtuesve të Milan. Por ndërkohë Milan e ka bërë blerjen e parë për këtë merkato, brazilianin Pakueta i cili pritet të zbarkojnë në Milanello brenda pak ditësh.

Inter nga ana tjetër në këtë janar do të përpiqet të bëjë një goditje të vetme në merkato, por shumë cilësore. Është mesi i fushës, që disa herë ka lënë në “baltë” Spaletin dhe tashmë Marota me Auzilion i kanë bërë gati piketat e para. Mes ëndrrës Modriç dhe turko-gjermanit, Mesut Ozil, ky i dyti duket një objektiv më konkret për klubin zikaltër. Ndërsa Roma ka tre emra kryesorë në optikën e saj, Sensi, Tonali dhe Barella, për këtë të fundit do të ketë përballje me Milan. Por drejtuesit roman do duhet të kenë shumë kujdes, pasi dy nga sulmuesit kryesorë, Under dhe Shik janë në kërkim nga klubet më të mëdha të Europës.

Juventus në këtë merkato janari nuk besohet që të bëjë ndonjë ndërhyrje të rëndësishme, me përjashtim të ndonjë huazimi të të rinjve në ekipet e tjera të Serie A, apo ndonjë rikthim nga huazimet. Gjithashtu edhe nga Napoli dhe Lacio nuk priten lëvizje të bujshme këtë janar, edhe pse Tare e De Laurentis disa herë kanë bërë surpriza si në blerje ashtu edhe në shitje. Në Serie A merkato e Janarit do të mbyllet në 31 janar.

Merkato e ekipeve të La Liga

Në Spanjë edhe pse merkato nuk ka nisur, ekipet i kanë bërë goditjet e para. Është Barcelona që ka nisur këtë fushatë, duke zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit të Valencias, Murijo. Katalanasit kishin nevoja emergjente për ndërhyrje në repartin difensiv, dhe kolumbiani shikohet si një emër që mund të bëjë punë për skemat e Valverdes. Me këtë afrim dhe largimin e mundshëm të Denis Suarez Bracelona besohet se e ka mbyllur merkaton e janarit. Për katalanasit janë për folur edhe emrat e De Ligt dhe De Jong nga Ajaksi, e Rabiot apo Eriksen edhe pse duhet thënë se është shumë e vështirë që këta katër futbollistë të mbërrijnë në “Cam Nou” që këtë dimër. Ndërkohë në kampin kundërshtar të Barcelonës, te Real Madrid situata duket shumë më e paqartë për shkak edhe të paqartësisë në lidhje me trajnerin e ri që do të drejtojë ekipin edhe për sezonin e ardhshëm. Palacios dhe Hermoso janë dy talentet amerikano-latine që po ndiqen nga Real Madrid dhe mund të zbarkojnë këtë dimër në Madrid. Gjithsesi nga “Los Blancos” duhet pasur kujdes, pasi tashmë na ka mësuar me goditje surprizë në merkato. Edhe nga Atletiko Madrid i Simeones nuk priten lëvizje të bujshme këtë merkato.

Merkato e ekipeve të Premier League

Në Angli kjo merkato janari duket më e qetë. Të gjitha ekipet kryesore, duke filluar nga kampionët e Mançester Siti dhe deri të londinezët e Totenham, nuk duken shumë agresive në këtë janar. E vetmja skuadër që mund të bëjë përjashtim është Çelësi i Mauricio Sarrit. Blutë e Londrës kërkojnë një përforcim në sulm, por kjo gjë do të bëhet vetëm nëse do të largohet Alvaro Morata, që duket se nuk e kënaq trajnerin italian, Sarri. Afrimi më i mundshëm për Çelësin pritet të jetë mbrojtësi shqiptar, Elseid Hysaj. Junajtid me trajnerin e ri në stol, Solskjaer nuk paraqitet shumë aktive në këtë merkato, por do të ruhet së më shumë që mos të ketë largime të bujshme të “yjeve” të saj. Tek Liverpuli kryesues emri më i bujshëm që po përflitet në ditët e fundit është ai i Dabur. Ndërsa Arsenali i Unai Emeri është në gjurmët e portierit të Real Madrid, Kejlor Navas dhe argjentinasit Pavon.

Në kampionatet e tjera, PSG është e kontrolluar për shkak të bilanceve të saj dhe më shumë mundësi kjo periudhë merkatoje në janar do të shfrytëzohet për të bërë largime të lojtarëve që nuk janë në planet e trajnerit Tukel. Edhe Bajerni i Mynihut me gjithë emergjencën në ekip, me shumë mundësi do e shtyjë revolucionin për në muajin qershor të vitit të ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë