Gazeta Si – Dikur Premier League ishte e pasur, e aftë për t’i shitur të drejtat televizive për katër vjet (nga 2025 në 2029) platformave “Sky” dhe “TNT” për një shumë rekord: 6.7 miliardë paund, e barabartë me 7.91 miliardë euro (ndërsa BBC ruajti të drejtat për të transmetuar momentet kryesore të ndeshjeve pa pagesë).
Sot kampionati më i bukur në botë është gjithmonë i pasur, por edhe kursimtar. Në fakt, klubet në të gjithë Britaninë e Madhe, kanë investuar deri më tani 800 milionë paund në merkaton e verës, baraz me 944 milionë euro, më pak se vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga “Football Transfers” dhe siç raportohet edhe nga faqja e BBC-së, klubet angleze investuan shumën rekord prej 2.3 miliardë paund (2.71 miliardë euro) në nënshkrime të reja në verën e vitit 2023, por kanë shpenzuar 1.5 miliardë £ (€ 1.77 miliardë) – deri më tani – në dritaren aktuale.
Jo vetëm kaq. Shpenzimet e përgjithshme në vitin kalendarik 2024 gjithashtu u ulën: 1.6 miliardë paund (1.89 miliardë euro) krahasuar me 3.1 miliardë paund (3.66 miliardë euro) në vitin 2023.
Dhe ka një numër tjetër interesant, që e bën të qartë këtë prirje: klubet e Premier e League kanë përmbyllur të njëjtin numër marrëveshjesh, si në La Liga (Spanjë), 105, por më pak se ato në Serinë A (Itali) (115) dhe Bundesligë (Gjermani) (135). Ndërsa Ligue 1 (Francë), bëri edhe më pak me 78.
Sigurisht, investimet e Premier Ligës janë akoma më të mëdha se ato të bëra deri më tani nga katër ligat e tjera më të mira evropiane (Itali: 728.13 milionë euro; Franca: 624.28 milionë euro; Gjermania: 545.21 milionë euro; Spanja: 513.35 milionë euro), por – shuma 944 milionë euro është diferencë e habitshme.
Ndaj lind pyetja, pse u ulën investimet? Një nga shtytësit kryesorë të këtij trendi të shpenzimeve më pak, është respektimi i rregullave të “Fair Play Financiar” në Premier League.
Rregullat e prezantuara në vitin 2013 nënkuptonin që një klub nuk mund të humbiste më shumë se 105 milionë £ (123.91 milion €) në tre vjet.
“Kanë mbetur vetëm pak ditë deri në fund të afatit të merkatës së verës, por përveç Chelsea-t dhe shpenzimeve të Ipsëich Toën dhe Brighton-it ambicioz, kjo duket të jetë një merkato më e kujdesshme”, tha Paul MacDonald i “Football Transfers”.
“Vlera e perceptuar e fryrë e lojtarëve në treg, – veçanërisht kur bëhet fjalë për transferimet brenda Premier Ligës – ka nënkuptuar që shumica e skuadrave janë përgjithësisht më të kujdesshme për blerjet, por edhe për vlerën e atyre lojtarëve”, – thekson MacDonald.
Kjo është arsyeja pse në Angli shpenzohen më pak para dhe pse ekipet e tjera europiane e kanë më të vështirë të nxjerrin “big”-ët e tyre në shitje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.