Motosport

Mercedesi zbulon modelin ‘W-13’. Hemilton: Nuk e kam menduar tërheqjen, dua titullin

Gaseta Si – Skuderia Mercedes ka prezantuar makinën e Botërorit të ri, me të cilën do të kërkojë ‘hakmarrjen’ ndaj Maks Vershtapenit dhe Red Bull-it. Ishte sot dita e Mercedesit, e modelit ‘W-13’, që do të drejtojnë sezonin e ri Ljuis Hemilton dhe Xhorxh Rasëll, i cili ka marrë vendin e Valteri Botas.

Makina e re e skuderisë gjermane është kthyer e argjendtë për erën e re teknike të Formulës 1 dhe synon të fitojë titullin e 8-të për konstruktorët, që, siç tha administratori Toto Volf, “nuk do të thotë asgjë, sepse do të bëjmë gjithçka sikur të mos kishim fituar asgjë. Ky është mentaliteti i duhur”.

Botërori i humbur mes polemikash në garën e fundit, sipas Volf, është një hije që duhet lënë pas krahëve, sepse duhet parë drejt së ardhmes. Megjithatë, fakti që FIA ka njoftuar ristrukturimin e sallës së kontrollit të garës, duke hequr Majkëll Masin, është diçka që në Shtutgart është vlerësuar: “Një hap në drejtimin e duhur, – ka thënë Volf. – F1 W-13 është e mrekullueshme dhe shpresojmë të jetë e tillë edhe në pistë”.

Ljuis Hemilton është rishfaqur pas dimrit të vështirë dhe duket gati për sfidën e re. “Ishte një situatë e komplikuar pas garës në Abu Dhabi, por nuk kam thënë kurrë se do të tërhiqem. Më duhej të reflektoja dhe të përqendrohesha tek e tashmja, i rrethuar nga familja. Kam menduar për kujtimet e bukura dhe tani kthehem për të sulmuar sërish.

Hemilton lexon mesazhet e tifozëve. Gazeta Si, 18 shkurt 2022

Jam entuziast për makinën e re, është bërë një punë e madhe nga skuadra. 10 vite kanë qenë një privilegj për mua, udhëtimi ka qenë fenomenal. Tani dua të fitoj titullin e 8-të dhe të bëj diçka që nuk është bërë më parë”.

Një nga risitë më të mëdha të skuderisë gjermane është të shohësh Rasëll pranë Hemiltonit: “Për mua që jam rritur në fidanishten Mercedes është mrekulli që jam pjesë e skuadrës në F.1. Do të jetë një sezon i jashtëzakonshëm për ndryshimet e mëdha,”, – tha Rasëll.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë