Motosport

Mercedesi u kërkon ndjesë publike tifozëve: Provojmë të njëjtën dhimbje si ju!

Gazeta Si – Skuderia nga Brackey ka publikuar një mesazh në faqen e vet zyrtare pas garës modeste në Bahrejn. Me anë të këtij mesazhi u kërkon ndjesë tifozëve për zhgënjimin dhe premton rikthimin në majat e larta të Formula 1.

Botërori 2023 ka nisur me zhgënjime për Ferrarin dhe Mercedesin. Por, nëse Ferrari ‘qan’, me dorëheqjen e David Sançez dhe një klimë të rëndë në Maranelo pas startit të shëmtuar, Mercedesi nuk ‘qesh’. Në Bahrejn, skuadra e drejtuar nga Toto Volf nuk shkoi më shumë se vendet 5 dhe 7, respektivisht të Hemilton dhe Rasëll.

Një fillim i vështirë pas një sezoni shumë të komplikuar me pritshmëri të tjera. Zhgënjimi ka qenë aq i madh, sa Mercedesi u ka kërkuar ndjeë publike tifozëve të vet. E ka bërë me një letër të hapur, ku shkruan:

“Bahrejni na ka bërë të ndihemi keq të gjithëve ne që fillojmë çdo sezon të vendosur për të luftuar për titullin. Ka bërë skuadrën të ndihet keq, pas investimit dhe punës së bërë me makinën që nuk na ka kënaqur. Dhe e dimë që ju ka bërë edhe ju tifozëve tanë të ndiheni keq. Pasioni dhe mbështetja juaj janë shumë të rëndësishme, e dimë që ndjejmë të njëjtën dhimbje”.

Deklaratat e pilotëve me rezerva karshi skuderisë janë vetëm pjesa e dukshme e një projekti, që për momentin nuk po shkon mirë. Përveç ndjesës, në letrën e hapur të Mercedesit ka edhe një premtim për të ardhmen.

“Brenda skuadrës ka forca për ta parë dështimin si një mundësi. Jemi të ndershëm për të thënë ku jemi dhe po punojmë për të ndërtuar planin e rikthimit si fitues. I njohim standardet dhe askush nga ne nuk dridhet kur shohim malin e madh që duhet të ngjitim. Nuk është e lehtë, por duke përballuar prblemet do të bëhemi të mëdhenj”, – shkruhet në letër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë