Motosport

Mercedesi tërheq rekursin, Maks Vershtapen zyrtarisht kampion bote

Skuderia Mercedes, me anë të një njoftimi zyrtar, ka bërë me dije se ka vendosur ta tërheqë rekursin për pjesën finale të garës së Abu Dhabit, ku fitoi Maks Vershtapen.

Piloti i Red Bull-it është kështu zyrtarisht kampion bote në Formula 1. “Në Abu Dhabi rregullorja u aplikua në një mënyrë që mund të influencojë garat. Tani duhet dialog me FIA-n për rregulla më të qarta”, – shkruan skuadra gjermane në komunikatë.

Mbyllet kështu sezoni dhe kontestimet pas këtij vendimi të Mercedesit. “Të humbësh një garë është pjesë e lojës, por është ndryshe kur humb shpresat në motorsport. Shumë, përfshirë edhe ne, mendojnë se gjërat nuk shkuan në mënyrë shumë korrekte. Kemi protestuar për rregulloren e Safety Car, që kushtëzoi garën, ku Ljuis kishte marrë komandën dhe po shpallej kampion.

Bëmë rekurs në interes të drejtësisë dhe presim me kënaqësi vendimin e FIA-s për hetimin se çfarë ndodhi në Abu Dhabi dhe për të përmirësuar rregullat. Do të punojmë përkrah FIA-s për të ndërtuar një F.1 më të mirë dhe bëjmë me dije se e kemi tërhequr rekursin tonë”, – vazhdon komunikata e skuderisë gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë