Motosport

Mercedesi më i ngadaltë se në 2022-shin. Hemilton nervoz: Nuk më dëgjuan

Gazeta Si – Çmimi i Madh i Bahrejnit ka konfirmuar dyshimet para garës në shtëpinë e Mercedesit. Makina W14 është forcë e katërt, tani prapa edhe Aston Martin. Ljuis Hemilton ka pohuar ndërkohë se këshillat e tij nuk u dëgjuan nga drejtuesit e skuadrës.

Mercedesi ishte një nga surprizat negative në startin e Botërorit 2023. Toto Volf, drejtues i lartë i skuderisë nga Shtutgarti, kishte pranuar gjatë testeve se nga të dhënat rezultonte që W14 nuk ishte në nivel me Red Bull-in dhe Ferrarin. Realiteti në fakt tregoi se ishte më keq, makina është e ngadaltë.

Ljuis Hemilton. Gazeta Si, 9 mars 2023

Nga sa u pa në garën e parë, Mercedesi është arritur dhe kaluar edhe nga Aston Martin. Të dielën e kaluar, Xhorxh Rasëll dhe Ljuis Hemilton u dorëzuan para Fernando Alonsos. Hemilton e mbylli garën 50 sekonda pas fituesit Maks Vershtapen.

Vitin e kaluar skuderia gjermane ishte ajo që u rrit më shumë gjatë sezonit, duke e ngushtuar diferencën me Red Bull-in dhe Ferrarin. Në garat e fundit erdhi edhe ajo fitore në Brazil e Rasëll, që dukej shumë premtuese. Por ka ndodhur e kundërta, makina stonon jo vetëm ndaj rivalëve, por edhe ndaj vetes.

Impresionuese ishin 10 xhirot e para në Bahrejn të Hemiltonit. Në krahasim me një vit më parë anglezi ishte më i shpejtë, por vetëm në këto 10 xhiro, me kohën 1’40”289 ndaj 1’41”581 të vitit të kaluar. Pastaj Hemilton ishte më i ngadaltë dhe kjo është vërtet shqetësuese.

Krahasimi i 10 xhirove te para te gares ne Bahrejn 2022-23. Gazeta Si, 9 mars 2023

Piloti anglez nuk e fshehu zhgëjimin dhe me nervozizëm për BBC-në tha se Mercedesi “nuk më dëgjoi”. Për problemet e makinës ai shtoi: “Vitin e kaluar ishin disa gjëra, që ua thashë atyre. Kam drejtuar shumë makina në jetë, e di për çfarë ka nevojë një makinë garash. Mendoj se bëhet fjalë për përgjegjësi dhe duhet pranuar. Duhet thënë: nuk të dëgjuam, nuk jemi ku duhet dhe duhet të punojmë'”.

Megjithatë, Hemilton është përpjekur të jetë konstruktiv: “Mbetemi kampionë gjithsesi, nuk arritëm në 2022-shin dhe këtë vit nuk e kuptova çfarë nuk funksionoi, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëjmë mirë në vazhdim”.

Toto Volf ka pranuar pas garës së parë se diferenca me Red Bull-in është dyfishuar. Ai kërkon tani që të bëhet një revolucion konceptual, siç ka bërë Aston Martin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë