Nga Gazeta “Si” – Mercedes prezantoi imazhet e para të makinës për e ri, që paraqesin një dizajn të përditësuar me ngjyrat argjend në të zezë.
“Silver Arrows”, që sezonin e kaluar u renditën në vendin e dytë në Kampionatin e Konstruktorëve, do të vazhdojnë këtë vit me të njëjtin binom pilotësh: George Russell dhe Kimi Antonelli.
Modeli “W17”, ashtu si të gjithë rivalët e tij, do të jetë më i vogël, më i ngushtë dhe më i lehtë se paraardhësi, pasi është projektuar dhe ndërtuar sipas rregullave të reja aerodinamike.
“Formula 1 do të pësojë ndryshime të mëdha këtë vit dhe ne jemi të përgatitur për këtë tranzicion,” tha “Team Principal” dhe “CEO”, Toto Wolff.
“Rregulloret e reja kërkojnë inovacion dhe fokus absolut në çdo aspekt të performancës. Puna jonë për makinën e re, si dhe zhvillimi afatgjatë i motorrit dhe karburanteve të qëndrueshme së bashku me Petronas, pasqyron këtë qasje. Publikimi i imazheve të para të W17 është thjesht hapi i rradhës në këtë proces. Ai përfaqëson përpjekjen kolektive dhe të vazhdueshme të ekipeve tona në Brixworth dhe Brackley. Ne do të vazhdojmë të punojmë fort në muajt në vijim” e mbylli deklaratën e tij, drejtuesi austriak.
Mercedes do t’u bashkohet skuadrave të tjera në Spanjë javën e ardhshme për “Barcelona Shakedown”, që zgjat 5 ditë.
Më pas, 8 herë kampionët e Botës do të organizojnë një event zyrtar prezantimi të sezonit më 2 Shkurt, me pilotët, drejtuesit kryesorë dhe makinën “W17”.
Pas kësaj, skuadra do të udhëtojë drejt Bahreinit për testet zyrtare pragsezonale, ku janë planifikuar 2 sesione testimi nga 3 ditë secili, për t’u dhënë ekipeve mundësinë të kolaudojnë makinat dhe performancën maksimale.




Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



