Shkencë

Mënyra se si Omicron prek qelizën tregon pse kemi simptoma të lehta

Metoda e variantit të Omicron për infektimin e qelizave është e ndryshme nga mekanizmi i përdorur më shpesh nga variantet e mëparshme SARS-CoV-2, gjë që mund të ndihmojë në shpjegimin e profilit më të butë të simptomave të Omicron, tregon një studim i publikuar në revistën “Nature”.

Variantet e mëparshme përdorin proteinën ACE2 në sipërfaqet e qelizave dhe një enzimë të quajtur TMPRSS2 për t’u bashkuar me membranën qelizore dhe për të injektuar materialin e tyre gjenetik brenda.

Omicron preferon të hyjë në qeliza duke krijuar qese të vogla në membranën qelizore të quajtura endosome që qelizat i përdorin për të transportuar materiale brenda, zbuluan studiuesit.

Omicron lidhet me proteinat ACE2, por nuk ka nevojë për ndihmë nga TMPRSS2. Ky variant shumohet më lehtë në indet ku TMPRSS2 është i pakët, siç është hunda. Në mushkëri, ku TMPRSS2 është i bollshëm, Omicron është përhapur në mënyrë më pak dhe rrjedhimisht ka shkaktuar më pak dëme sesa variantet e mëparshme.

“Gjetjet ndihmojnë për të shpjeguar “përse sëmundja është më pak e rëndë dhe shkakton më pak pneumoni” me Omicron”, tha Ravindra Gupta nga Instituti i Imunologjisë Terapeutike dhe Sëmundjeve Infektive të Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar.

Gupta vuri në dukje gjithashtu se medikamentet që synojnë “TMPRSS2”, të tilla si “camostat mesylate”, një trajtim i pankreatitit ka treguar disa përfitime te pacientët me COVID-19, mund të jenë më pak të dobishëm me Omicron.

Burimi: Reuters/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë