Futboll

Mendje, muskuj, lëvizje taktike dhe lojtarë kyç: Inter-Milan në rrezet X

Gazeta Si – Dita e derbit. Interi në një moment më të mirë në nivelin e formës sportive dhe rezultateve. Pioli, që nuk do të ketë Benaser dhe Tomori, duhet të frenojë golat e shumtë të pësuar. Ai beson te Leao dhe Zhiru, vendimtarë në pjesën e parë të kampionatit. Një analizë në disa aspekte e derbit të sotëm.

Forma sportive: Interi ok, Milani në tunel
Interi në 2023-shin ka humbur vetëm një herë, në shtëpi me Empolin. Fizikisht skuadra e Inzagit është mirë, ndaj Atalantës trajneri kurseu Bastonin, Dimarkon dhe Xhekon. Kilometrat e bërë mesatarisht nga zikaltrit janë 111.5 për ndeshje. Në shtëpi kanë pësuar 5 gola, aq sa Roma (askush nuk ka bërë më mirë).

Interi ka shfaqur probleme në mbrojtje në transfertë, ku golat e pësuar janë 21 (më keq vetëm Salernitana). Në 2023-shin 4 herë nga 8 në total Onana e ka mbajtur rrjetën të paprekur. Vetëm në një rast, në shtëpi me Empolin, sulmi zikaltër nuk ka mundur të shënojë.

Nga një derbi mes Milanit dhe Interit. Gazeta Si, 5 shkurt 2023

Milani prezantohet në derbi në një formë fizike të dobët, kurrë më parë kaq negative. Më e keqja e erës Pioli. Që kur ka rifilluar kampionati, kuqezinjtë kanë fituar vetëm me Salernitanën, pastaj kanë pësuar 2 gola nga Roma dhe Leçe, 3 nga Interi në Superkupë, 4 nga Lacio dhe 5 nga Sasuolo.

Mbrojtja fut ujë nga të gjitha anët, blerjet e reja nuk po japin asgjë, – sidomos belgu De Ketelaere, – ndërsa përpara ata që jepnin siguri po vuajnë.

Komponenti psikologjik: Pak entuziazëm, derbi thelbësor
Pas fitimit të Superkupës në Riad, morali në shtëpinë e Interit ishte më i lartë se kurrë, por humbja në kampionat me Empolin, diferenca -13 nga Napoli dhe çështja Shkriniar e ftohën pak entuziazmin. Më pas, fitorja ndaj Kremonezes dhe kalimi në gjysmëfinale të Kupës së Italisë e sistemuan situatën. Derbi i dytë radhazi i fituar do të ishte një shtysë e fortë për të përballuar sfidën e parë të 1/8-ve në Champions më 22 në ‘San Siro’.

Morali te Milani ndërkohë është në kuotat minimale. Skuadra e Piolit ra kaq poshtë vetëm pas 5-0 në Bergamo dhjetorin e 2019-ës. Para karantinës dhe ardhjes së Ibrahimoviçit. Milani atëherë preku fundin dhe u ngrit gradualisht me punë dhe impenjim. Pioli shpreson që të jetë sërish një pikë kthese humbja me 5 gola, këtë herë nga Sasuolo. Është një provë për të kaluar momentin ‘Jo’. Edhe pse për momentin mbi Milanin ka vetëm re të zeza.

Brozoviç dhe Benaser, mungesat e medha te derbit. Gazeta Si, 5 shkurt 2023

Mungesat: Inzagi i ka të gjithë, Pioli në telashe
Interi vjen me grup të plotë në derbi. Edhe Brozoviç është rikuperuar dhe do të jetë në stol. Inzagi duhet të zgjedhë. Kroati nuk është në formën optimale, Shkriniar duhet të largojë mbetjet mentale të kartonit të kuq ndaj Empolit (dhe rinovimit të munguar), kurse Lukaku ka pak minuta në këmbë. Edhe Handanoviç do të jetë në stol.

Milani ka jo pak mungesa. Pioli vuan dëmtimin e Benaser, më i mirë i një skuadre, ku nga fillimi i janarit e më pas shpëtojnë pak. Algjeriani ka një problem muskulor, i dëmtuar është edhe Tomori. Këta dy lojtarë i shtohen infermierisë, ku prej kohësh janë Florenci, Maignan dhe Ibrahimoviç, i mbetur jashtë listës së Championsit.

Zhiru ne dyluftim me Çalhanoglu. Gazeta Si, 5 shkurt 2023

Siguritë: Mbrojtja dhe Lautaro tek Interi, Leao-Zhiru te Milani
Interi mbështetet mbi të gjitha te soliditeti që garantojnë Açerbi dhe Bastoni në mbrojtje, te forma shumë e mirë e Çalhanoglu, te një Barela i karikuar pas ndalesës në Kremona, tek i palodhuri Mkhitarian dhe mbi të gjitha te një Lautaro lider si kurrë më parë. Argjentinasi ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë një asist në 2023-shin, duke udhëhequr skuadrën i motivuar edhe më shumë nga shiriti i kapitenit.

Vështirë të gjesh në anën tjetër dikë që shpëton. Megjithatë, Milani mund të tentojë të kapet pas Leaos. Në derbin e parë sezonal ai udhëhoqi kuqezinjtë drejt fitores me dy gola dhe një asist. Tjetri mund të jetë i zakonshmi Tonali, me zemër kuqëzi, si Kalabria. Olivier Zhiru është një tjetër që kur sheh Interin, shpërthen. Më 5 shkurt 2022, ekzaktësisht një vit më parë, realizoi dy gola ndaj zikaltërve. Ishte derbi i famshëm i “u rrotullua Zhiru”. Pioli shpreson të bëjë bis, tifozët po ashtu.

Lëvizjet taktike: Interi me 3-5-2, Milani me modul të ri
Interi nuk do të ndryshojë taktikë: 3-5-2 i Inzagit nuk do të modifikohet. Dyshimi më i madh është se kush do të markojë Leaon. Në Riad, ‘kafazi’ i formuar nga Shkriniar, Darmian dhe Barela dha rezultat, por këtë herë nuk është e sigurt që luan sllovaku.

Xheko ne dyluftim me Kalulu. Gazeta Si, 5 shkurt 2023

Pastaj është sulmi: me Xhekon Inzagi do të besonte te një element që mund të dialogojë më mirë me shokët, ndërsa me Lukakun do të impenjonte më shumë fizikisht kundërshtarin me kundërsulme, me forcë dhe shpejtësi.

Të reja të rëndësishme te Milani. Provat taktike të ditëve të fundit tregojnë se Pioli është gati të ndryshojë modul, duke kaluar nga 4-2-3-1 te 4-3-3. Pobega do të zëvendësojë Benaserin, kurse në të djathtë mund ta nisë Saelemaekers, në avantazh ndaj Mesias. Pranë Tonali pritet të jetë Rade Kruniç, ‘xholi’ i Piolit. Pjesa tjetër është e konfimruar: Tatarushanu në portë, Kalabria dhe Teo Hernandez në krahë, Kalulu dhe Kjaer në qendër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë